Protesta në Bullgari kundër anëtarësimit në eurozone/ Përplasje edhe në parlament
Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Sofjes, kryeqyteti i Bullgarisë, për të protestuar kundër planit të vendit për t’u anëtarësuar në eurozonë. Të pajisur me flamuj kombëtarë dhe pankarta ku shkruhej “Larg duart nga monedha jonë!”, protestuesit iu përgjigjën thirrjes së partisë së djathtë ekstreme “Ringjallja”. Tensionet nuk munguan as brenda parlamentit bullgar, ku deputetët [...]Read More...

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Sofjes, kryeqyteti i Bullgarisë, për të protestuar kundër planit të vendit për t’u anëtarësuar në eurozonë. Të pajisur me flamuj kombëtarë dhe pankarta ku shkruhej “Larg duart nga monedha jonë!”, protestuesit iu përgjigjën thirrjes së partisë së djathtë ekstreme “Ringjallja”.
Tensionet nuk munguan as brenda parlamentit bullgar, ku deputetët e “Ringjalljes” bllokuan podiumin e foltores, duke përshkallëzuar protestën në sallën plenare. Një nga udhëheqësit e partisë, Tsoncho Ganev, shtyu deputetin e partisë “Vazhdojmë Ndryshimin”, Yavor Bozhankov, duke shkaktuar përplasje fizike mes ligjvënësve.
Reagimet e forta vijnë pas vendimit të Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane për të miratuar zyrtarisht kalimin e Bullgarisë në monedhën euro. Sipas një “raporti konvergjence”, Bullgaria ka përmbushur kriteret ekonomike për të adoptuar euron duke nisur nga fillimi i vitit 2026, çka do ta bënte vendin e 21-të që i bashkohet eurozonës.
Bullgaria ka synuar të adoptojë euron që prej anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2007, por pas një pritjeje të gjatë, entuziazmi i popullsisë është zbehur. Sipas një sondazhi të fundit të Eurobarometrit, gjysma e bullgarëve janë tani skeptikë ndaj euros, ndërsa shumë prej tyre shprehin shqetësime se ndryshimi i monedhës do të çojë në rritje të çmimeve./abcnews.al