“Provimi i jurisprudencës në shqip”, ministri Shasivari i përgjigjet deputetes së BDI-së

Çështja e provimit të jurisprudencës nuk është vetëm çështje e një provimi, por është çështje e juristëve të rinj, për të ardhmen e tyre, për mundësi të barabarta dhe për cilësinë e të drejtës që duam të ndërtojmë në shtetin tonë, theksoi nga foltorja e Kuvendit ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i cili iu përgjigj pyetjes së deputetes së BDI-së, Dijana Toska se kur studentët do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ministri i Drejtësisë, Shasivari, theksoi se këtë çështje nuk e sheh si çështje etnike apo politike.
“Dua të jem shumë i qartë. Pra, këtë çështje nuk e shoh si çështje etnike apo politike, por e shoh si çështje juridike dhe institucionale dhe çështja është se si, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, duhet të kemi qasje të barabartë, të respektohen të drejtat gjuhësore dhe, në të njëjtën kohë, këto çështje të jenë të njëjta për të gjithë kandidatët. Gjuha mund të jetë e ndryshme, kriteri duhet të jetë i njëjtë dhe për këtë konsideroj se kjo duhet të jetë çështje e pjekurisë institucionale dhe politike”, theksoi Shasivari.
Ministri i Drejtësisë, Shasivari, në përgjigjen e tij ndaj deputetes Toska, theksoi se deri tek ai kanë mbërritur kërkesa nga pesë organizata studentore për këtë temë dhe siç tha, “qëndrimi im është i qartë, çdo iniciativë që vjen nga studentët dhe nga Akademia duhet të shqyrtohet dhe të analizohet seriozisht”.
“Kërkesa e Asociacionit të studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore që provimi të mund të jepet në gjuhën shqipe, e Asociacionit të Universitetit “Nënë Tereza” me kërkesë që të jepet në gjuhën shqipe, si dhe kërkesa e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik i cili ka dy cikle – ciklin e parë dhe atë të magjistraturës në gjuhën angleze, kërkesa e tyre është në gjuhën angleze. Kërkesa e katërt është nga Universiteti Ndërkombëtar “Vizion” i cili ka të akredituara studimet juridike në ciklin e parë dhe të dytë në gjuhën maqedonase, angleze dhe turke, kërkesa e tyre është në gjuhën angleze dhe turke. Gjithashtu, ka edhe kërkesë nga Asociacioni i Universitetit të Tetovës, me kërkesë në gjuhën shqipe. Për mua, kjo nuk është vetëm statistikë, por është një mesazh nga të rinjtë që përgatiten të bëhen pjesë e sistemit juridik dhe këtë mesazh dua ta dëgjojmë”, tha Shasivari.
Ministri i Drejtësisë, Shasivari, paralajmëroi se në fillim të vitit të ri akademik, në tetor, do t’i ftojë përfaqësuesit e organizatave studentore, në mënyrë që të zhvillojnë një takim koordinues për këtë temë.
The post “Provimi i jurisprudencës në shqip”, ministri Shasivari i përgjigjet deputetes së BDI-së appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



