Qeveria i përgjigjet Kuvendit: S’ka pengesa ligjore për nismën e ndryshimit të Ligjit për Specialen

Qeveria i përgjigjet Kuvendit: S’ka pengesa ligjore për nismën e ndryshimit të Ligjit për Specialen

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka shkelje ligjore në nismën e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës për ndryshime të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një mbledhje elektronike të premten në mbrëmje, Qeveria ka njoftuar se i ka çuar në Kuvend përgjigjet lidhur me kërkesën e iniciuar nga PDK-ja.

Sipas njoftimit, përgjigja e Qeverisë përfshin “opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, thuhet në njoftim.

E vendimi specifikon se nuk ka pengesa ligjore për nismën për ndryshim të këtij ligji.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në vendim. Koha.net


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.