Gani Geci: PDK po i lyp pare Qeverisë për t’ia votuar Presidentin – Këto janë tri rrugët e Kosovës para 6 tetorit!

Në një shkrim të fundit publik, ish-deputeti i LDK-së dhe figura e njohur politike, Gani Geci, ka dalë me një analizë të ashpër lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pas dënimit të katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë.
Sipas Gecit, reagimet dhe kërkesat e fundit të PDK-së nuk kanë të bëjnë me drejtësinë apo shqetësimin e vërtetë për proceset në Gjykatën Speciale, por, siç shprehet ai, “po kërkojnë vetëm pare”.
Geci thekson se juristët e PDK-së e dinë mirë se ndryshimi i aktgjykimeve në Apel kërkon prova të reja e jo thjesht deklarata politike, ndaj mesazhi i tyre ndaj Qeverisë është bërë pazarlëk për votimin e Presidentit.
Sipas tij, PDK po i kërkon kryeministrit Albin Kurti që të ndajë fonde shtesë nga taksapaguesit në emër të lobimit dhe mbrojtjes juridike, në shkëmbim të zgjedhjes së Presidentit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Tre skenarët sipas Gecit para datës 06.10.2026:
1. Pazari financiar: Qeveria paguan paratë që kërkon PDK, ndërsa kjo e fundit ia voton Presidentin LVV-së.
2. Opsioni i LDK-së: Zgjedhja e një presidenti të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pa shpenzuar asnjë cent shtesë nga paratë e taksapaguesve.
3. Zgjedhjet e jashtëzakonshme: Shkuarja në zgjedhje të reja, të cilat sipas Gecit do të kushtojnë miliona euro për organizim dhe shpërndarje fondesh. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



