Radari në Zvicër kap mbi 10 mijë shoferë në katër muaj

Radari në Zvicër kap mbi 10 mijë shoferë në katër muaj

Një radar i vendosur në autostradën A1, në territorin e Morges në kantonin Vaud, ka regjistruar më shumë se 10 mijë shkelje të shpejtësisë brenda rreth katër muajve. Pajisja ishte instaluar pranë një zone ku po zhvilloheshin punime dhe ku, për arsye sigurie, kufiri i shpejtësisë ishte ulur nga 120 në 60 km/h.

Nga fundi i marsit deri në mesin e korrikut, radari regjistroi gjithsej 10,528 shkelje, prej të cilave 306 janë konsideruar vepra penale në komunikacion. Të dhënat janë konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Vaud, Alexandre Bisenz, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, policia ka theksuar se numri i madh i gjobave duhet parë në raport me trafikun e përgjithshëm. Shoferët që kanë shkelur kufirin përbëjnë vetëm rreth 1% të automjeteve që kanë kaluar në atë zonë, ndërsa 99% kanë respektuar kufizimin e shpejtësisë.

Për rreth 20 raste, Prokuroria ka shqiptuar tashmë në total 1,000 njësi ditore, me vlerë prej 30 deri në 80 franga secila dhe me kusht. Në këto raste, pas zbritjes së tolerancës së radarit, shpejtësia e regjistruar ishte 35 deri në 54 km/h mbi kufirin e lejuar.

Gjobat variojnë nga 300 deri në 1,200 franga, ndërsa dhjetëra shoferë rrezikojnë edhe heqjen e patentës. Duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të shkeljeve, mediat zvicerane vlerësojnë se të ardhurat nga gjobat mund të kalojnë një milion franga.

The post Radari në Zvicër kap mbi 10 mijë shoferë në katër muaj appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.