Reagon ministri Shasivari: Nuk mbështeta Gjykatën Speciale, mos më shtrembëroni qëndrimin

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka reaguar pas, siç thotë ai, tentativave për të shtrembëruar dhe keqinterpretuar qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale dhe zhvillimet që priten më 16 shtator.
Shasivari ka rikujtuar deklaratën e tij të mëhershme, në të cilën kishte thënë se më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet, por gjykata.
Ai thekson se kjo deklaratë, sipas tij, nuk nënkupton mbështetje për Gjykatën Speciale.
“Mos më atribuoni një qëndrim që nuk e kam thënë”, ka shkruar Shasivari, duke shtuar se nuk e ka mbështetur dhe as nuk i ka mbledhur votat për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Unë as e kam mbështetur dhe aq më pak ia kam mbledhur votat Gjykatës Speciale, siç kanë bërë Ali Ahmeti e Berat Buzhala, që e pranojnë edhe vetë”, është shprehur ai.
Sipas Shasivarit, Gjykata Speciale tashmë është realitet dhe, siç thotë ai, kjo ka ardhur si pasojë e angazhimit të dikujt tjetër, ndërsa tani mbetet të përballen me pasojat.
“Ajo sot është realitet si pasojë e angazhimit të dikujt. Neve na mbetet të merremi me pasojat”, ka deklaruar ministri.
Shasivari ka sqaruar se thirrja e tij e mëhershme, sipas tij, ishte në interes të Republikës së Kosovës, imazhit të UÇK-së dhe shqiptarëve në përgjithësi.
“Prandaj, në vend që të më atribuoni diçka që nuk e kam thënë, lexoni atë që kam thënë në të vërtetë”, ka shkruar ai.
Në fund, ministri i Drejtësisë i ka cilësuar keqinterpretimet dhe shtrembërimet si produkt të, siç shprehet ai, “atyre që përdorin çdo gjë të shenjtë në betejë politike”.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



