Real Madridi fiton 1 euro në gjykatë, nuk është shaka — një medium spanjoll e pësoi
Florentino Perez prej kohësh konsiderohet si një nga presidentët më të suksesshëm në historinë e Real Madridit, por gjatë mandatit të tij të gjatë nuk kanë munguar edhe skandalet. Një nga rastet më të bujshme ndodhi në vitin 2021, kur media spanjolle El Confidencial publikoi pa pëlqimin e tij një seri regjistrimesh audio private nga […]

Florentino Perez prej kohësh konsiderohet si një nga presidentët më të suksesshëm në historinë e Real Madridit, por gjatë mandatit të tij të gjatë nuk kanë munguar edhe skandalet.
Një nga rastet më të bujshme ndodhi në vitin 2021, kur media spanjolle El Confidencial publikoi pa pëlqimin e tij një seri regjistrimesh audio private nga fillimi i viteve 2010. Në to, Perez shprehej hapur dhe ashpër për legjenda të klubit: Cristiano Ronaldon e quante “idiot”, Raulin dhe Iker Casillasin “dy mashtruesit më të mëdhenj”, ndërsa për trajnerin e atëhershëm Jose Mourinho përdori po ashtu fjalën “idiot”.
Pas disa vitesh procesesh gjyqësore, Gjykata Supreme e Spanjës vendosi se veprimet e El Confidencial përbënin “ndërhyrje të paligjshme” dhe se botimet “tejkaluan kufijtë e lirisë së shprehjes”, me synim “dëmtimin e imazhit publik të z. Florentino Perez Rodriguez”. Vendimi e cilësoi këtë si një akt të qartë shpifjeje që nuk justifikohet nga liria e shtypit.
Gjyqi nisi menjëherë pas dështimit të projektit të Superligës Evropiane në vitin 2021, ndërsa Perez la të kuptohej se rrjedhja e regjistrimeve ishte një formë hakmarrjeje për rolin e tij në projekt.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë i dha fund një beteje shumëvjeçare, duke konfirmuar edhe vendimet e mëparshme të Gjykatës së Madridit dhe Gjykatës Provinciale.
El Confidencial dhe redaktori i saj, Ignacio Cardero, u urdhëruan të ndalojnë përgjithmonë publikimin ose riprodhimin e këtyre regjistrimeve, si dhe ta botojnë vendimin në disa media të mëdha spanjolle, përfshirë Marca, AS dhe El Pais, brenda 15 ditëve.
Gjykata caktoi një kompensim simbolik prej vetëm 1 eurosh dhe mbulimin e plotë të shpenzimeve gjyqësore. /Telegrafi