Rizvanolli mohon kolapsin energjetik: Dezinformatë, KEK-u asnjëherë s’e ka ndalur prodhimin

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka hedhur poshtë pretendimet për kolaps energjetik në vend, si dhe raportimet se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ka prodhuar fare energji në disa periudha. Ajo tha se, ndonëse sektori energjetik në Kosovë përballet me sfida për shkak të varësisë nga termocentralet

Rizvanolli mohon kolapsin energjetik: Dezinformatë, KEK-u asnjëherë s’e ka ndalur prodhimin

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka hedhur poshtë pretendimet për kolaps energjetik në vend, si dhe raportimet se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ka prodhuar fare energji në disa periudha.

Ajo tha se, ndonëse sektori energjetik në Kosovë përballet me sfida për shkak të varësisë nga termocentralet e vjetra 42 dhe 62-vjeçare, nuk ka pasur asnjë moment kur KEK-u ka prodhuar zero megavat-orë.

“Dua të adresoj disa dezinformata që kanë qarkulluar ditëve të fundit. Nuk ka pasur asnjë moment kur KEK-u ka prodhuar zero megavat-orë, apo që Kosova ka qenë në ndonjë kolaps energjetik, siç është raportuar nga disa media. Ne përballemi me sfida në sektorin energjetik sepse siguria jonë e furnizimit varet nga termocentralet 62 dhe 42-vjeçare, për të cilat nuk janë bërë asnjëherë rehabilitime serioze. Një nga arsyet pse që nga prilli nuk i kemi në funksion të gjitha blloqet është sepse, për herë të parë në termocentralin Kosova B, po i modernizojmë turbinat. Si rezultat, blloku B2 është jashtë funksionit për rreth gjashtë muaj për të mundësuar këto operime”, theksoi Rizvanolli.

“Kjo është një sakrificë e përkohshme, por e domosdoshme, dhe duhet ta bëjmë tani, sepse nuk është bërë me kohë – kur çmimet e importit kanë qenë trefish më të ulëta. Po thuhet, ndër të tjera, se këto janë remontet e rregullta që po bëhen në termocentralin Kosova B dhe që janë bërë gjithmonë – kjo nuk është e saktë. Këto po bëhen për herë të parë. Janë bërë vetëm intervenime të vogla, qindra tenderë që kanë kushtuar në total mbi 1 miliard euro dhe që kanë shkuar në termocentralet tona, mirëpo kurrë nuk janë bërë rehabilitime dhe modernizime siç kemi filluar tani,” shtoi ajo./EO