Rreth 220 tonë mikroplastikë bien çdo vit në tokën dhe ujërat e Zvicrës

Rreth 219 tonë mikroplastikë transportohen çdo vit nga ajri dhe depozitohen në tokën dhe ujërat e Zvicrës, sipas një studimi të realizuar nga Empa, Eawag dhe Agroscope. Rreth 40 për qind e tyre përfundojnë në tokat bujqësore, liqene dhe lumenj.
Për herë të parë, një ekip studiuesish ka dokumentuar në mënyrë sistematike përhapjen e mikroplastikës përmes atmosferës në territorin zviceran, njoftuan Laboratorët Federalë Zviceranë për Shkencën dhe Teknologjinë e Materialeve (Empa).
Studimi, i mbështetur nga Zyra Federale për Mjedisin (FOEN), u realizua përmes mbledhjes së mostrave gjatë një viti në pesë lokacione: Cyrih, Dübendorf, Magadino, Payerne dhe në malin Chaumont.
PET dhe materialet e paketimit dominojnë
Duke i shtrirë matjet në të gjithë territorin e Zvicrës, në zonat nën 2 mijë metra lartësi, studiuesit kanë llogaritur se rreth 219 tonë mikroplastikë depozitohen çdo vit në vend.
Prej kësaj sasie, rreth 78 tonë përfundojnë drejtpërdrejt në tokat bujqësore, ndërsa rreth 10 tonë depozitohen në liqene dhe rrjedha ujore.
Në një mjedis tipik urban, si Cyrihu, studiuesit kanë regjistruar mesatarisht 881 grimca mikroplastike për metër katror në ditë. Në katër lokacionet e tjera të studimit, numri ishte më i ulët dhe varionte nga 249 deri në 331 grimca për metër katror në ditë.
Ndër materialet sintetike të identifikuara në mostrat e mbledhura, më të pranishmet ishin polietilen-tereftalati (PET) me 31 për qind, polietileni (PE) me 26 për qind dhe polipropileni (PP) me 21 për qind.
PET-i përdoret gjerësisht për prodhimin e shisheve të pijeve, por gjendet edhe në fibrat e poliesterit të përdorura në tekstile. Ndërkaq, PE dhe PP përdoren kryesisht për ambalazhe, filma plastikë, enë dhe produkte të përditshme.
Pasojat për shëndetin ende nuk janë të qarta
Në krahasim me të gjitha grimcat që qarkullojnë në atmosferë – përfshirë pluhurin e shkretëtirave, blozën, mbetjet e djegies dhe grimcat biologjike – mikroplastika përbën vetëm një pjesë shumë të vogël, rreth 0.02 deri në 0.12 për qind.
Megjithatë, depozitimi i vazhdueshëm i tyre në sipërfaqe të mëdha mund të çojë në akumulimin e sasive të konsiderueshme. Mikroplastika nuk shpërbëhet, ose shpërbëhet shumë ngadalë, ndërsa pasojat e saj afatgjata për mjedisin dhe shëndetin e njeriut ende nuk janë përcaktuar qartë.
“Në përputhje me parimin e masës paraprake, duhet të shmangim hedhjen e mbetjeve, të përdorim plastikën vetëm aty ku është e nevojshme dhe të mbyllim sa më shumë të jetë e mundur ciklet e materialeve”, deklaroi Christoph Hüglin, studiues në Empa dhe drejtues i studimit
The post Rreth 220 tonë mikroplastikë bien çdo vit në tokën dhe ujërat e Zvicrës appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



