Rriten eksportet shqiptare drejt Kosovës

Ekonomia shqiptare po jep sinjale pozitive përmes rritjes së eksporteve, të cilat në muajin mars arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 4,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e eksporteve drejt Kosovës (+83,1%) dhe Greqisë (+13,2%) tregon për forcimin e lidhjeve tregtare rajonale dhe konkurrueshmërinë në rritje

Rriten eksportet shqiptare drejt Kosovës

Ekonomia shqiptare po jep sinjale pozitive përmes rritjes së eksporteve, të cilat në muajin mars arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 4,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e eksporteve drejt Kosovës (+83,1%) dhe Greqisë (+13,2%) tregon për forcimin e lidhjeve tregtare rajonale dhe konkurrueshmërinë në rritje të produkteve shqiptare.

Trend pozitiv pasqyron rimëkëmbjen e disa sektorëve kyç të prodhimit vendas, veçanërisht atë të mineraleve, energjisë dhe tekstileve.

Treguesit për tremujorin e parë janë gjithashtu inkurajues: eksportet janë rritur me 4,7%, ndërkohë që importet kanë shënuar një rënie prej 3,5%.

Megjithatë sfidat mbeten të pranishme.

Deficiti tregtar për marsin është ende i lartë, me 39 miliardë lekë, dhe ndonëse është ulur me 6,5% në krahasim me vitin e kaluar, ai është rritur ndjeshëm krahasuar me muajin shkurt.

Rënia e eksporteve drejt Italisë dhe Maqedonisë së Veriut tregon nevojën për zgjerimin dhe diversifikimin e tregjeve të jashtme.

Ekspertët sugjerojnë që për të përfituar plotësisht nga momenti pozitiv në eksport, Shqipëria duhet të investojë më shumë në kapacitetet prodhuese dhe në mbështetjen e sektorëve me potencial të lartë eksportues, duke synuar uljen graduale të varësisë nga importet./RTSh