Një rrugë me emrin “Struga” në New Jersey – SHBA

Një rrugë me emrin “Struga” në New Jersey – SHBA

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, takimin e tij të parë gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e realizoi me Mayorin e Riverdale, Paul Carelli, qytezë ku vepron edhe një nga qendrat më të mëdha shqiptare në diasporë, QKSHA–Struga.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të drejtuesve të QKSHA–Struga: kryetari Sinan Alimi, nënkryetari Jeton Abdurramani, sekretari Fitni Istrefi dhe drejtori për Komunikim dhe Media, Faton Arifi.

Gjatë takimit, kryetari Qyra vlerësoi lart marrëdhëniet me komunitetin amerikan dhe rolin e diasporës strugane në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

“Ju falënderoj për atë që po bëni për struganët. Diaspora jonë është një urë lidhëse mes vendeve tona. Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe politike dhe historike”, tha kryetari Qyra.

Mayori i Riverdale, Paul Carelli, e vlerësoi lart vizitën e kryetarit të Strugës dhe marrëdhëniet e mira me komunitetin shqiptar që jeton dhe vepron në këtë zonë.

“Tani e njoh më mirë Strugën, një qytet shumë i bukur. Kemi marrëdhënie shumë korrekte me njerëzit tuaj këtu. Ju falënderoj për ftesën për t’ju vizituar dhe shpresoj që një ditë të vij në Strugë”, tha z. Carelli.

Një moment i veçantë i takimit ishte edhe premtimi i Mayorit të Riverdale se rruga pranë QKSHA–Struga do të mbajë emrin “Struga”, në nderim të qytetit dhe komunitetit strugan që prej dekadash jeton dhe vepron në këtë pjesë të Shteteve të Bashkuara. Premtimi u bë në prani të kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, duke i dhënë takimit një simbolikë të veçantë për lidhjet mes Strugës, Riverdale dhe diasporës strugane në Amerikë.

Në përmbyllje të vizitës, në kujtim të 11 Shtatorit dhe sulmeve terroriste ndaj Kullave Binjake, delegacioni vizitoi pranë ambienteve të komunës edhe një pjesë autentike të strukturës së hekurt të Kullave Binjake të World Trade Center, e ruajtur si dëshmi dhe memorial i një prej ngjarjeve më tragjike në historinë moderne amerikane.

Ata bënë homazhe gjithashtu pranë memorialit kushtuar amerikanëve nga Riverdale që dhanë jetën në Luftën e Parë Botërore, duke nderuar kujtimin dhe sakrificën e tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Takimi u përmbyll në një atmosferë miqësore dhe respekti të ndërsjellë, me gatishmërinë për të forcuar më tej lidhjet mes Strugës, Riverdale dhe diasporës shqiptare në SHBA.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.