Rusia sulmoi ndërtesën qeveritare me diplomatët e BE-së brenda, Kievi: Ishte i qëllimshëm
Kryeministrja ukrainase ndodhej në ndërtesën e qeverisë së bashku me delegacione të huaja, kur godina u godit nga një raketë gjatë një sulmi të ashpër rus të shtunën mbrëma ndaj gjithë territorit të Ukrainës, dhe në veçanti ndaj Kievit. Sipas autoriteteve ukrainase, nuk ishte një dron që përfundoi mbi ndërtesë, por një raketë balistike Iskander [...]Read More...

Kryeministrja ukrainase ndodhej në ndërtesën e qeverisë së bashku me delegacione të huaja, kur godina u godit nga një raketë gjatë një sulmi të ashpër rus të shtunën mbrëma ndaj gjithë territorit të Ukrainës, dhe në veçanti ndaj Kievit.
Sipas autoriteteve ukrainase, nuk ishte një dron që përfundoi mbi ndërtesë, por një raketë balistike Iskander me një kokë shpërthyese prej 450 kilogramësh, e cila “mrekullisht nuk shpërtheu“.
Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se do të bëhet një hetim teknik për të konfirmuar llojin e saktë të raketës, por sipas tyre, “me shumë gjasë bëhet fjalë për një raketë lundrimi”, e cila ishte drejtuar pikërisht ndaj zonës qeveritare.
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Kiev, Katarina Mathernova, e cila ishte e pranishme në godinë bashkë me delegacionin e huaj, shkroi në Facebook: “E pashë me sytë e mi. Putini e di saktësisht çfarë po bën. Raketa Iskander që goditi ndërtesën e Këshillit të Ministrave kishte për qëllim të godiste vetë zemrën e qeverisë ukrainase.”
Ambasada e BE-së në Kiev, e drejtuar nga vetë Mathernova, ishte goditur gjithashtu dhjetë ditë më parë nga copëza të një bombe që shpërtheu në ajër në qendër të qytetit. Ajo tha se fragmente të ngjashme janë gjetur edhe mes mbetjeve të raketës që iu tregua delegacionit nga kryeministrja.
Sipas revistës Defense Express, raketa që goditi godinën ka qenë modeli 9M727, një lloj Iskander-K. Pavarësisht se koka nuk shpërtheu, zjarri u shkaktua nga karburanti i saj. Ky model ishte përdorur më parë në vitin 2023 në sulmin ndaj teatrit në Çernihiv, por rrallë përdoret në Kiev. Mathernova theksoi se vetëm falë mosshpërthimit të raketës, ndërtesa nuk u shkatërrua plotësisht, dhe zjarri u kufizua në tre kate.
Sipas hetimeve paraprake, Moska duket se ka kryer një sulm të qëllimshëm dhe simbolik ndaj qeverisë ukrainase, ndoshta jo për të vrarë drejtues politikë, por për të dërguar një paralajmërim të qartë, që: Rusia është e gatshme të kalojë një vijë të kuqe që nuk e kishte kaluar në tre vite e gjysmë lufte, nëse Ukraina nuk pranon një marrëveshje sipas kushteve të saj.
Në një postim të gjatë në Facebook, Mathernova shkruan: “Sot në mëngjes vizitova ndërtesën e qeverisë në Kiev, një vend që e vizitoj shpesh për takime me anëtarët e kabinetit. Kalova nëpër atë që kishte mbetur nga disa kate të ndërtesës. Era e tymit ishte ende e fortë. Na treguan pjesë të konsiderueshme të raketës dhe fragmente të shumta nga municionet e integruara në raketën Iskander.”
Ambasadorja shton: “Për Ukrainën kjo është një betejë ekzistenciale. Putini po godet qëllimisht shtyllat themelore të vendit: qeverinë, energjinë, popullin. Ky është momenti që aleatët të veprojnë dhe të rrisin ndjeshëm presionin ndaj Rusisë për të mos lejuar që marrëzia vrasëse e Kremlinit të vijojë.” / abcnews.al /