Sa shpenzojnë shqiptarët për veshmbathje
Pas luftës në Ukrainë, çmimet e shportës në Shqipëri u rritën me ritme dyshifrore. Njësoj si në Evropë qytetarët shkurtuan shpenzimet për veshje dhe këpucë The post Sa shpenzojnë shqiptarët për veshmbathje appeared first on Albinfo.

Kur vjen puna te veshjet, shqiptarët janë treguar racionalë me shpenzimet, sidomos në dekadën e fundit.
Në krahasim me 12 grupet e artikujve kryesorë të konsumit, shpenzimet për veshje kishin rritjen më të ulët në vlerë (pa efektin e inflacionit) gjatë tri dekadave të fundit (1995-2023), sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Në vitin 1995 të gjitha familjet shqiptare shpenzuan 11,2 miliardë lekë për veshje në vit, ndërsa në 2023 mbi 43 miliardë lekë.
Pa efektin e inflacionit shpenzimet e familjeve për veshje u rritën me 285% në 26 vite, ritmi më i ulët në krahasim me 11 grupet e tjera të konsumit.
Të dhënat historike tregojnë se shpenzimet për veshje shënuan një rritje domethënëse në vitet 2007-2008 dhe pastaj qëndruan në vendnumëro gjatë gjithë dekadës nëse llogaritet edhe efekti i inflacionit.
Në shpenzimet për veshje ka ndikuar edhe ndryshimi demografik. Rënia e popullsisë së re në moshë dhe kryesisht fëmijëve që konsumojnë shumë veshje ka ndikuar negativisht në shpenzimet për këtë grup. Nga ana tjetër, grupi në rritje i popullsisë në moshë pensioni konsumon më shumë medikamente dhe më pak veshje.
Me inflacionin e lartë të dy viteve të fundit ka një zhvendosje të blerjeve të konsumatorëve shqiptarë, të cilët kanë frenuar blerjen e veshjeve të reja, duke u zhvendosur tek të përdorurat, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
Të dhënat nga tregtia e jashtme tregojnë se në 2024, importet e tekstilit dhe këpucëve në vlerë shënuan rënie me 8.6% dhe nga ana tjetër, importet e veshjeve të përdorura shënuan rritje me 4.7%.
Rënia e importeve të veshjeve dhe këpucëve vijoi për të dytin vit radhazi, pasi edhe më 2023 ishin 4,2% më të ulëta se më 2022.
Nga ana tjetër, tregu i veshjeve të përdorura po rritet nga viti në vit. Vlera në import kaloi 38 milionë eurot në 2024 me rritje vjetore 4.7%.
Barometri i Ballkanit, një anketë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që mat perceptimin e qytetareve për të situatën ekonomike, gjeti se më 2024 shqetësimi më i madh i shqiptarëve ishte inflacioni i lartë.
Pas luftës në Ukrainë, çmimet e shportës në Shqipëri u rritën me ritme dyshifrore. Njësoj si në Evropë qytetarët shkurtuan shpenzimet për veshje dhe këpucë.
The post Sa shpenzojnë shqiptarët për veshmbathje appeared first on Albinfo.