Samiti në Hagë pritet ta konfirmojë Shqipërinë si nikoqire të samitit të NATO-s më 2027

Samiti i javës së ardhshme në Hagë pritet ta konfirmojë Shqipërinë si nikoqire të samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, NATO, në vitin 2027. Drafti i deklaratës së samitit të sivjetshëm të NATO-s, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, konfirmon se Shqipëria do të jetë nikoqire më 2027. Samiti i

Samiti në Hagë pritet ta konfirmojë Shqipërinë si nikoqire të samitit të NATO-s më 2027

Samiti i javës së ardhshme në Hagë pritet ta konfirmojë Shqipërinë si nikoqire të samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, NATO, në vitin 2027.

Drafti i deklaratës së samitit të sivjetshëm të NATO-s, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, konfirmon se Shqipëria do të jetë nikoqire më 2027.

Samiti i sivjetshëm i NATO-s mbahet në Hagë të Holandës javën e ardhshme, ndërsa ai i vitit 2026 do të mbahet në Turqi.

Në fund të draftit të deklaratës thuhet: “Ne shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen e xhymert nga Mbretëria e Holandës. Mezi presim takimin tonë të ardhshëm në Turqi më 2026, i cili do të pasohet nga një takim në Shqipëri”.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama – i cili muaj më parë e fitoi mandatin e katërt – kishte paralajmëruar verën e kaluar se Shqipëria do ta mirëpriste samitin e NATO-s më 2027.

Kryeqyteti shqiptar, Tirana, ishte mikpritëse e një takimi të rëndësishëm këtë vit, pasi mblodhi liderët e mëdhenj evropianë për samitin e Komunitetit Politik Evropian në maj.

Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009 dhe kjo do të jetë hera e parë që ajo mirëpret samitin e saj.

NATO-ja e ka një bazë ajrore në Shqipëri, përkatësisht në Kuçovë, të vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ajo u përurua në mars 2024, pasi NATO-ja investoi afërsisht 50 milionë euro në të, ndërsa Qeveria shqiptare shpenzoi më shumë se 5 milionë euro.

Shqipëria është në bisedime me NATO-n edhe për ndërtimin e një baze detare në Porto Romano në bregdetin e Adriatikut.