San Siro në këmbë për Modricin- legjenda gati të magjepsë Serie A
Luka Modric është gati të bëjë debutimin e tij të plotë me fanellën e Milanit mbrëmjen e sotme ndaj Cremoneses, në një ndeshje që pritet të luhet përpara 75 mijë tifozëve në “San Siro”. Sipas raportimeve nga mediat italiane, trajneri Max Allegri ka vendosur t’i besojë yllit kroat nga minuta e parë, duke lënë në […]

Luka Modric është gati të bëjë debutimin e tij të plotë me fanellën e Milanit mbrëmjen e sotme ndaj Cremoneses, në një ndeshje që pritet të luhet përpara 75 mijë tifozëve në “San Siro”. Sipas raportimeve nga mediat italiane, trajneri Max Allegri ka vendosur t’i besojë yllit kroat nga minuta e parë, duke lënë në stol Samuele Riccin, i cili kishte lënë përshtypje pozitive gjatë fazës përgatitore.
Vendimi i Allegrit nuk vjen si surprizë, sidomos pas deklaratave të tij në konferencën për shtyp, ku u vlerësua lart përvoja dhe klasi i Modricit. Edhe pse Ricci është parë si një investim për të ardhmen, në një ndeshje të rëndësishme si kjo, trajneri kuqezi ka zgjedhur sigurinë dhe eksperiencën e ish-lojtarit të Real Madridit, transmeton ORAinfo.
Modric, 39 vjeç, vjen nga një sezon mbresëlënës ku ka regjistruar 63 paraqitje dhe afro 3,000 minuta në fushë – shifra që flasin qartë për nivelin e tij fizik dhe profesional, pavarësisht moshës. Në paraqitjen e tij të parë jozyrtare me Milanin, në fitoren ndaj Barit në Kupën e Italisë, ai la menjëherë gjurmë me pasime precize dhe menaxhim perfekt të ritmit të lojës.
Ky debutim është një moment emocional jo vetëm për tifozët, por edhe për vetë Modricin, i cili ka deklaruar më parë se Milani ka qenë klubi i ëndrrave të tij që në fëmijëri. Prandaj, mbrëmja e sotme pritet të jetë e veçantë për të gjithë ata që ndjekin me pasion kuqezinjtë.
Nëse forma fizike e lejon, prania e Modricit në mesin e fushës mund të bëjë diferencën në këtë sezon për Milanin. Klubi do të duhet të menaxhojë me kujdes ngarkesën e tij, por për momentin, kroati është gati të shkëlqejë edhe në Serie A. /ORAinfo/