Saranda Imeri Stafai i përgjigjet Bujar Osmanit: Legjitimitetin shqiptar e japin votat, jo BDI-ja

Saranda Imeri Stafai i përgjigjet Bujar Osmanit: Legjitimitetin shqiptar e japin votat, jo BDI-ja

Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj deklaratave të Bujar Osmanit, duke kritikuar qasjen e tij ndaj koalicionit VLEN dhe duke hedhur akuza ndaj politikës së BDI-së.

“Bujar, problemi yt është se po përpiqesh ta shesësh bashkëpunimin politik si dobësi, ndërsa në demokraci bashkimi i forcave për të sjellë ndryshim quhet mandat politik”, ka shkruar Imeri Stafai.

Ajo thekson se VLEN nuk është krijuar si një parti monolite, por si bashkim i forcave politike shqiptare me qëllim përfundimin e monopolit shumëvjeçar të BDI-së dhe sjelljen e ndryshimit në skenën politike.

Duke iu referuar bashkëpunimit të VLEN-it me VMRO-DPMNE-në, deputetja ka rikujtuar se edhe BDI-ja ka qeverisur për vite me partitë maqedonase.

“Bashkëpunimi nuk është tradhti kur e bën BDI-ja, por qenka varësi kur e bëjnë të tjerët”, ka deklaruar ajo.

Imeri Stafai ka kritikuar gjithashtu të kaluarën politike të Bujar Osmanit, duke përmendur planin 9-pikësh për Kosovën gjatë kohës kur ai drejtonte OSBE-në, si dhe pritjen e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Shkup gjatë samitit të OSBE-së.

Ajo ka rikthyer në vëmendje edhe marrëdhëniet e BDI-së me Serbinë gjatë kohës sa ishte në pushtet, duke përmendur edhe vizitën e Ali Ahmetit në Beograd dhe takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Pra, mos e ndërto narrativën sikur VLEN-i është problem për shqiptarët vetëm sepse nuk është BDI”, është shprehur deputetja.

Sipas saj, VLEN nuk pretendon të jetë perfekt, por duhet të qeverisë, të japë rezultate dhe të korrigjojë gabimet.

Në fund, Imeri Stafai ka vënë në pikëpyetje pretendimin e BDI-së për të pasur ekskluzivitetin e përfaqësimit politik të shqiptarëve.

“Legjitimiteti shqiptar nuk është pronë e BDI-së. As nuk është trashëgimi politike e Ali Ahmetit. Legjitimitetin e japin shqiptarët me votën e tyre. Dhe këtë herë shqiptarët folën”, ka shkruar ajo.

Deputetja e ka mbyllur reagimin me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Osmanit: “Dhe në fund, më së paku mund të flasësh ti që humbe pa balotazh.”

Në fund të reagimit, ajo e ka cilësuar Osmanin si “Bujari i PDSH-së”.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.