“Von Scham und Geld”: Filmi kosovar që triumfoi në Sundance shfaqet në premierë në Mynih

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih po fton publikun në premierën e filmit “Von Scham und Geld” (“Shame and Money”), me regji të regjisorit kosovar Visar Morina, transmeton albinfo.ch.
Premiera do të mbahet të shtunën, më 19 shtator 2026, në orën 17:15, në RIO Filmpalast München, në Rosenheimer Straße 46.
Filmi ka shënuar një sukses të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare të kinematografisë. Ai është shpërblyer me Grand Jury Prize në Sundance Film Festival 2026, ndërsa në Filmfest München 2026 ka fituar CineMasters Award për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Përveç këtyre vlerësimeve, “Von Scham und Geld” është përzgjedhur edhe si përfaqësues i Kosovës për Oscars 2027, duke e bërë filmin një prej produksioneve më të rëndësishme të kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare.
Në kuadër të premierës në Mynih, të pranishmit do të kenë mundësi të takohen dhe të bashkëbisedojnë me regjisorin Visar Morina, si dhe me aktorët Astrit Kabashi, Flonja Kodheli dhe Fiona Gllavica.
Biletat për premierën mund të rezervohen paraprakisht.
Nga 24 shtatori 2026, filmi do të nisë shfaqjen në kinematë në mbarë Gjermaninë.
Premiera në Mynih paraqet një mundësi për publikun shqiptar dhe atë gjerman për ta parë nga afër një prej filmave kosovarë që ka marrë vlerësime të rëndësishme në festivale prestigjioze ndërkombëtare./Albinfo.ch
The post “Von Scham und Geld”: Filmi kosovar që triumfoi në Sundance shfaqet në premierë në Mynih appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



