Nis seanca në Hagë, asnjëri nga të akuzuarit nuk janë të pranishëm në sallën e gjyqit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdojnë deklaratat përfundimtare në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Seancat për deklaratat përfundimtare janë paraparë të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026.
Në seancën e së mërkurës, mbrojtja e Thaçit kërkoi që ish-presidenti të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga të gjitha akuzat.
Avokatja e tij, Sophie Menegon, tha se vendimi i trupit gjykues duhet të bazohet në prova dhe jo në ato që i cilësoi si spekulime të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime dhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.
Mbrojtja pretendoi se disa dëshmitarë të përmendur nga prokuroria, përfshirë Rrustem Mustafën, Bislim Zyrapin dhe një dëshmitar të mbrojtur, gjatë marrjes në pyetje kanë mohuar se janë ndikuar nga Thaçi apo persona të tjerë.
Sipas mbrojtjes, gjatë procesit nuk është dëshmuar ndonjë ndërhyrje konkrete në administrimin e drejtësisë dhe ZPS-ja nuk ka arritur të provojë fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm.
Menegon kritikoi gjithashtu mënyrën se si prokuroria ka trajtuar format e përgjegjësisë penale, duke pretenduar se aktakuza nuk është koherente në këtë aspekt dhe se akuzat nuk janë mbështetur me prova të mjaftueshme.
Mbrojtja vuri në pikëpyetje edhe dëshminë e ekspertit të prokurorisë, Koen Herlaar, duke e cilësuar si problematike metodologjinë e përdorur prej tij.
Në këtë çështje, të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm. Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se vendimi për këtë rast pritet të shpallet më 16 shtator 2026.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



