Senati amerikan miraton me shumicë të ngushtë projektbuxhetin e Trump, përballë sfidave në Dhomën e Përfaqësuesve

Pas disa orësh bllokim dhe debate të zgjatura, republikanët në Senatin e Shteteve të Bashkuara miratuan me shumicë minimale projektligjin e buxhetit të propozuar nga presidenti Donald Trump. Pas më shumë se 24 orësh diskutime, projektligji kaloi me votën vendimtare të nënpresidentit JD Vance, duke kapërcyer një nga pengesat kryesore procedurale në këtë proces. Projektbuxheti, [...]Read More...

Senati amerikan miraton me shumicë të ngushtë projektbuxhetin e Trump, përballë sfidave në Dhomën e Përfaqësuesve

Pas disa orësh bllokim dhe debate të zgjatura, republikanët në Senatin e Shteteve të Bashkuara miratuan me shumicë minimale projektligjin e buxhetit të propozuar nga presidenti Donald Trump. Pas më shumë se 24 orësh diskutime, projektligji kaloi me votën vendimtare të nënpresidentit JD Vance, duke kapërcyer një nga pengesat kryesore procedurale në këtë proces.

Projektbuxheti, që nga presidenti Trump është quajtur “i vetmi i madh dhe i bukur”, përfaqëson një nga shtyllat kryesore të axhendës së tij për mandatin e dytë. Ai parashikon ulje të përhershme të taksave, përfshirë ato mbi bakshishet, orët shtesë, aksionet dhe fitimet korporative. Projektligji përfshin gjithashtu angazhime të forta për rritjen e sigurisë kufitare dhe frenimin e imigracionit.

Tashmë, dokumenti i miratuar në Senat do të rikthehet për shqyrtim në Dhomën e Përfaqësuesve, ku përballet ende me kundërshtime të forta. Një version i mëparshëm i projektbuxhetit ishte miratuar me diferencë minimale votash. Presidenti Trump i ka vendosur Kongresit një afat deri më 4 korrik për t’i dorëzuar versionin përfundimtar të ligjit për miratim.

Ndërkohë, ndarjet brenda vetë Partisë Republikane mbeten të theksuara. Disa ligjvënës konservatorë janë shprehur kundër propozimit të Senatit, duke paralajmëruar se ai mund të rrisë borxhin kombëtar me rreth 650 miliardë dollarë në vit. Të tjerë janë të shqetësuar për shkurtimet e mëdha në programin Medicaid dhe në ndihmat për ushqim, që prekin amerikanët me të ardhura të ulëta.

Projektligji ka ngjallur kundërshtime edhe jashtë politikës. Miliarderi Elon Musk, ndër kritikët më të zëshëm, është angazhuar publikisht për të bllokuar miratimin e tij. Ai ka kërcënuar se do të mbështesë rivalët politikë të republikanëve që votojnë pro buxhetit, duke kundërshtuar prerjet në mbështetjen qeveritare për energjinë e rinovueshme dhe automjetet elektrike sektorë që prekin drejtpërdrejt interesat financiare të kompanisë së tij Tesla.

Demokratët, nga ana e tyre, u përpoqën të pengojnë miratimin përmes manovrave procedurale, përfshirë edhe leximin me zë të lartë të 940 faqeve të projektligjit në Senat, për të fituar kohë.

Fati i projektbuxhetit mbetet ende i pasigurt, teksa përplasjet mbi deficitin, shkurtimet në programet sociale dhe prioritetet fiskale pritet të vazhdojnë në ditët në vijim./abcnews.al