Senati nis debatin maratonë mbi paketën e marrëveshjeve Zvicër-BE

Senatorët zviceranë kanë nisur diskutimet mbi paketën e re të marrëveshjeve Zvicër-BE, të njohur si “Marrëveshjet Dypalëshe III” (Bilaterals III). Pas gjashtë muajsh shqyrtimi parlamentar dhe përfshirjes së pothuajse të gjitha komisioneve përkatëse, debati pritet të jetë i gjatë dhe i zjarrtë.
Edhe para se të niste zyrtarisht procesi, të hënën u bë sërish e qartë se paketa e re e marrëveshjeve dypalëshe Zvicër-BE është një “fuçi baruti”.
Grupi parlamentar i Partisë Socialdemokrate mbajti një konferencë për shtyp të hënën në mëngjes dhe paralajmëroi për dështimin e mundshëm të “Marrëveshjeve Dypalëshe III”. U pretendua se disa senatorë të qendrës së djathtë – nga Partia Radikale-Liberale dhe Partia e Qendrës – po përpiqeshin ta rrëzonin paketën.
“Ata po sulmojnë mbrojtjen e pagave dhe duan t’u vendosin një barrë shtesë familjeve përmes një takse mbi imigracionin, si dhe po bllokojnë programin Erasmus+, po krijojnë pragje të reja për referendumet dhe po provokojnë konflikte të reja me BE-në përmes ndryshimeve në skemën e garantimit të depozitave,” tha bashkë-presidenti i Partisë Socialdemokrate, Cédric Wermuth. Ai iu referua disa vendimeve të komisioneve, të marra para debatit, të cilat nuk përputhen me qëndrimin e partisë së tij, transmeton albinfo.vh.
Edhe të Gjelbrit kritikuan partitë e qendrës së djathtë në një deklaratë. Kushdo që vazhdon t’u bashkohet “lojërave mashtruese të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) të krahut të djathtë”, po rrezikon stabilitetin e Zvicrës, thuhej në deklaratë, shkruan swissinfo. Senati duhet të lejojë që arsyeja të mbizotërojë, si për çështjen e mbrojtjes së pagave, ashtu edhe për atë të referendumit të detyrueshëm.
Partia Popullore nuk do ta miratojë paketën e traktateve në asnjë rast. Grupi i saj parlamentar ka bërë thirrje për një protestë në sheshin “Bundesplatz” të hënën në mbrëmje. Qëllimi është të paralajmërohet kundër “traktatit të nënshtrimit dhe pasojave të tij katastrofike”.
Debati në Senat pritet të nisë me një seancë hapëse. Një pakicë brenda Komisionit për Punët e Jashtme të Këshillit të Shteteve nuk dëshiron ta diskutojë paketën e traktateve në detaje. Krahas anëtarëve të Partisë Popullore, pjesë e kësaj pakice është edhe Beat Rieder, senator nga Partia e Qendrës.
Të pranishëm janë Presidenti zviceran Guy Parmelin (i cili mban portofolin e Ministrisë së Ekonomisë), Ministri i Jashtëm Ignazio Cassis dhe Ministri i Drejtësisë Beat Jans.
Vendimet e para priten në mbrëmje.
The post Senati nis debatin maratonë mbi paketën e marrëveshjeve Zvicër-BE appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



