Shasivari takoi ambasadoren amerikane Varnes, në fokus reformat në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari sot ka zhvilluar takim me Nicole Varnes, ushtruese e detyrës ambasadore e SHBA-së në vend, ku në fokus të diskutimit kanë qenë prioritetet reformuese në drejtësi dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh.
Gjatë takimit, Shasivari theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në i cili përbën mbështetje të rëndësishme për reformat në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Vëmendje e veçantë iu kushtua reformës së legjislacionit penal, kontributit të ekspertizës amerikane në këtë proces, digjitalizimit të drejtësisë dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.
Ministri Shasivari ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, duke veçuar edhe projektin për zbatimin e Strategjisë kombëtare për drogat të financuar nga Byroja INL e Departamentit amerikan të shtetit.
Në përfundim, u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit për realizimin e rezultateve konkrete dhe ndërtimin e një sistemi drejtësie më funksional, të pavarur dhe efikas.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



