Shërputhje e madhe mes votave për VV-në në përfaqësi diplomatike dhe votave përmes postes

Procesi i numërimit të votave të diasporës po sjell rezultate të çuditshme. Trendi i votave të bashkatdhetarëve që kanë votuar me postë është krejt ndryshe prej trendit të atyre që kanë votuar në ambasadat dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Ndonëse diaspora është e njëjtë, rezultat nga këto kuti të votimit po dalim shumë të

Shërputhje e madhe mes votave për VV-në në përfaqësi diplomatike dhe votave përmes postes

Procesi i numërimit të votave të diasporës po sjell rezultate të çuditshme.

Trendi i votave të bashkatdhetarëve që kanë votuar me postë është krejt ndryshe prej trendit të atyre që kanë votuar në ambasadat dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Ndonëse diaspora është e njëjtë, rezultat nga këto kuti të votimit po dalim shumë të ndryshme.

Derisa mërgimtarët që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës e kanë votuar deri në 80 për qind partinë në pushtet, ata që kanë votuar përmes postes e kanë votuar përgjysmë më pak VV-në, shkruan “Nacionale”.

Ky dallim në rezultat ka ngritur shumë pikëpyetje.

Njohësit e proceseve zgjedhore dhe atyre politike kanë shprehur dyshimet e tyre tek procesi i votimit që është zhvilluar në konsullata dhe ambasadat e Kosovës, më 8 shkurt.

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, ka vlerësuar se nuk beson që diaspora është aq heterogjene sa rezultati në këto kuti të votimit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky rezultat e ka çuditur.

“Kjo është lista e komunave, nga të cilat janë votuesit që kanë dërguar fletëvotimet e tyre me postë, në kuadër të votimit jashtë vendit. Këto vota, në QNR, do të numërohen komunë për komunë. Megjithatë, duhet theksuar që diaspora si strukturë demografike, nuk është aq heterogjene, andaj edhe do të ishte deri diku i çuditshëm (e mbase indikativ) ndonjë rezultat fort i ndryshëm nga votat në misione diplomatike, sepse fundja, po flasim për grupin e njëjtë socio-kulturor brenda shteteve të ndryshme”, ka shkruar ai.

Dyshime edhe më të mëdha ka shprehur Adil Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ai ka vlerësuar se kjo situatë rrit dyshimet për manipulim të votave në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

“Është e dukshme se ka shpërputhje të madhe në mes të votave që Vetëvendosje i ka marrë nga bashkatdhetarët përmes votimit në përfaqësitë diplomatike dhe votimit të tyre përmes postës. Mërgata e njëjtë, trendet e ndryshme! Mbi 80% përmes votimit në përfaqësitë diplomatike dhe përgjysmë më pak nga votimi i tyre përmes postës! Kjo situatë i rrit dyshimet për manipulimin e procesit të votimit në ambasada dhe konsullata, i cili ka qenë gati krejtësisht në duart e ambasadorëve dhe konsujve të emëruar nga Kurti, Osmani dhe Gërvalla. Ambasadorët dhe konsujt nuk janë persona që mund të angazhohen në procese zgjedhore dhe duke i lejuar është prodhuar një proces zgjedhor jokredibil në diasporë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, kjo është hera e parë që qeveria është përzier në organizmin e zgjedhjeve.

“MPJD e ka dështuar edhe tenderin për sjelljen e kutive të votimit me aeroplanë për t’i sjellë ato me automjete, me nga 20-30 orë rrugë tokësore, me vetëm 1 po 2 persona si bartës të tyre. KQZ nuk është dashur të organizojë zgjedhje në ato ambasada apo konsullata, ku nuk ka qenë në gjendje ta zotërojë procesin zgjedhor apo ta ruajë integritetin e votës dhe besimin e qytetarëve. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që Qeveria të ndërhyjë në punën e një institucioni të pavarur, siç është KQZ-ja. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që KQZ-ja t’i japë mandat Qeverisë, siç i ka dhënë këtë radhë MPJD-së. Zgjedhjet i organizojnë institucionet e pavarura, jo qeveritë!”, ka shkruar Behrami.

Edhe analisti Shenoll Muharremi, i cili në vazhdimësi e ka përcjell procesin zgjedhor, ka shprehur dyshimet e tij.

“Si ka mundësi që në ambasada e konsulata të votojnë 80%-90% për LVV-në, ndërsa të njëjtët njerëz, kur votojnë me postë (jashtë sistemit dhe shërbimit), të kenë një përqindje krejt ndryshe!? Tani duhet të jemi të matur. Duhet të kemi durim dhe të presim rezultatet finale para se të bëjmë komente përfundimtare. Këto komente në asnjë mënyrë nuk kanë të bëjnë me ambasadat, konsulatat apo shërbimin diplomatik të Kosovës”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar pjesën dërmuese të votave të atyre qe kanë votuar në përfaqësi diplomatike. Aktualisht, janë numëruar 40 kuti, nga 43 në total. Nga këto vota, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 10 mijë e 898, PDK-ja 1 mijë e 10 vota, LDK-ja ka 1 mijë e 6 vota, kurse, AAK-ja ka 260 vota.

Ndërsa, krejt tjetër rezultat po del në procesin e numërimit të votave që kanë ardhur me postë.

Sipas numërimit të 14.36 për qind të këtyre votave, Lëvizja Vetëvendosje është në vendin e parë me 44.33 % të votave. Pas saj, renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 33.55% të votave, Koalicioni AAK-Nisma me 9.68 % të votave, kurse në vendin e katër është Partia Demokratike e Kosovës me 6.48 %.