KPK shkarkon kryeprokurorin e Speciales, Blerim Isufaj

KPK shkarkon kryeprokurorin e Speciales, Blerim Isufaj

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shkarkuar Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Vendimi është marrë në takimin e jashtëzakonshëm të mbajtur më 2 tetor 2026, ndërsa KPK ka bërë të ditur se Isufaj do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e prokurorit në Prokurorinë Speciale.

Sipas KPK-së, vendimi është marrë në bazë të nenit 22, paragrafit 5 të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, mbi bazën e rrethanave të konstatuara dhe të dokumentuara gjatë procedurës përkatëse.

KPK ka listuar disa prej arsyeve që, sipas tij, kanë çuar në largimin e Isufajt nga pozita e kryeprokurorit.

Në mesin e tyre janë keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale, jokompetenca në ushtrimin e funksionit të kryeprokurorit, dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, si dhe mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës.

KPK thotë se këto të fundit janë konstatuar përmes vlerësimit të performancës, të realizuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe aktet përkatëse nënligjore.

“Këto nuk përbëjnë vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Sipas KPK-së, secila prej këtyre rrethanave, veçmas dhe në mënyrë të pavarur, përbën bazë për largimin e Isufajt nga pozita.

Pas largimit të Isufajt, KPK ka caktuar prokurorin Dren Paca ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Paca do ta ushtrojë këtë funksion deri në plotësimin e pozitës, në përputhje me procedurat dhe kompetencat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

KPK ka thënë se caktimi i ushtruesit të detyrës synon të sigurojë vazhdimësinë e funksionimit të PSRK-së dhe trajtimin e pandërprerë të rasteve penale.

KPK kritikon gjendjen e PSRK-së

Në komunikatën e saj, KPK ka shprehur shqetësim edhe për gjendjen e efikasitetit institucional të Prokurorisë Speciale.

Sipas KPK-së, mënyra e menaxhimit të kësaj prokurorie, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, ka ndikuar në dobësimin e efikasitetit dhe rezultateve institucionale.

Këshilli thotë se drejtimi i PSRK-së nuk mund të kufizohet vetëm në ushtrimin formal të kompetencave administrative, pasi kryeprokurori bart përgjegjësi për organizimin, menaxhimin, funksionalitetin dhe rezultatet e institucionit.

KPK ka bërë të ditur se do t’i kushtojë vëmendje të veçantë forcimit të kapaciteteve dhe rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe transnacional, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e parave dhe veprimtarinë e organizatave kriminale që veprojnë përtej kufijve.

Këshilli ka deklaruar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për rikthimin e efikasitetit dhe përmirësimin e rezultateve të Prokurorisë Speciale.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.