“Edhe në shqip mund t’ju përgjigjem”, Jashari befason gazetarët zviceranë, flet edhe për krahasimin me Granit Xhakën

“Edhe në shqip mund t’ju përgjigjem”, Jashari befason gazetarët zviceranë, flet edhe për krahasimin me Granit Xhakën

“Edhe në shqip mund t’ju përgjigjem”, bëri shaka Ardon Jashari, teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve zviceranë në zonën mikse pas fitores 3-0 ndaj Maqedonisë së Veriut.

Mesfushori i Milanit kishte detyrën e vështirë për të zëvendësuar kapitenin Granit Xhaka në ndeshjen e zhvilluar në vendin e origjinës së prindërve të tij, por 24-vjeçari e përmbushi me sukses rolin e tij.

“Besoj se ishte një fillim i mirë për mua dhe për ekipin. Në fund të fundit, futbolli kërkon punë ekipore dhe ne ishim shumë të disiplinuar në të dyja pjesët, si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në atë defensiv”.

Për shkak të stilit të lojës dhe prejardhjes shqiptare, Jashari shpesh krahasohet me Granit Xhakën. Megjithatë, ai dëshiron të ndjekë rrugën e tij.

“U përpoqa t’i sjell cilësitë e mia në fushë dhe ta ndihmoj ekipin. Por nuk u përpoqa ta zëvendësoj Granitin, por thjesht të bëj atë që kam bërë gjithmonë”, u shpreh ai për SRF.

Jashari nuk e sheh si problem krahasimin me kapitenin e Zvicrës.

“Jam krenar që më krahasojnë me lojtarin që ka më së shumti paraqitje për Kombëtaren tonë. Por ne kemi prejardhje krejtësisht të ndryshme dhe stilet tona të lojës janë gjithashtu të ndryshme. Megjithatë, ndoshta ato plotësojnë njëra-tjetrën”.

Përndryshe, Zvicra në përballjen e ardhshme do të jetë mysafir i Skocisë./Telegrafi


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.