Shqipe Sylejmani prezanton librin e ri: një homazh për gratë dhe historinë tonë
Pas tre vitesh pritjeje, autorja dhe gazetarja shqiptare në Zvicër, Shqipe Sylejmani, kthehet sërish para lexuesve me një vepër të re letrare. Libri i saj më i fundit: “Stolz und Widerstand”, i cili sapo ka dalë nga shtypi, është një roman i veçantë që mbart në vetvete më shumë zemër, shpirt, dhimbje, por edhe forcë […] The post Shqipe Sylejmani prezanton librin e ri: një homazh për gratë dhe historinë tonë appeared first on Albinfo.

Pas tre vitesh pritjeje, autorja dhe gazetarja shqiptare në Zvicër, Shqipe Sylejmani, kthehet sërish para lexuesve me një vepër të re letrare. Libri i saj më i fundit: “Stolz und Widerstand”, i cili sapo ka dalë nga shtypi, është një roman i veçantë që mbart në vetvete më shumë zemër, shpirt, dhimbje, por edhe forcë e durim se sa çdo projekt i mëparshëm i saj.
Në këtë vepër, Sylejmani sjell rrëfime të frymëzuara nga historia e vendlindjes dhe kujtesa kolektive, duke i kushtuar vëmendje veçanërisht figurës së gruas shqiptare nga gjyshet dhe nënat tona, tek motrat dhe bijat, të cilat me sakrificat dhe arritjet e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në breza.
Romani është një himn për krenarinë dhe qëndresën, një përkushtim për gratë që me shpirtin dhe forcën e tyre kanë ndërtuar themelet e identitetit dhe dinjitetit tonë.
“Ky libër është i dedikuar nënave tona, motrave tona, bijave tona atyre që kanë mbajtur mbi supe barrën e kohërave dhe që na japin kurajë të ecim me kokën lart në botë”, shprehet autorja.
Nga “Bürde & Segen” tek romani i ri
Shqipe Sylejmani, e lindur në Prishtinë dhe e rritur në Zvicër, u bë e njohur në vitin 2020 me romanin e saj të parë “Bürde & Segen”, ku trajtonte jetën mes dy kulturave dhe kërkimin e identitetit. Përkundër refuzimeve të shumta nga botuesit, ajo arriti ta publikojë librin me forcat e veta, duke shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në tregun zviceran të librit.
Pasuesi i tij, “Würde und Vergebung” (2022), e çoi historinë më tej duke përfshirë rrëfime të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë zë përvojës së shpërnguljeve dhe sfidave të brezave.
Një zë i grave shqiptare në diasporë
Me librin e ri, Sylejmani e vendos gruan shqiptare në qendër të tregimit si bartëse të traditës, qëndresës dhe krenarisë kombëtare. Përmes këtij projekti, ajo dëshiron të ngrejë zërin e gjeneratave të harruara dhe të tregojë se forca e tyre vazhdon të jetojë te brezat e rinj.
Libri më i ri i Shqipe Sylejmanit do të jetë i disponueshëm në librari nga 9 tetori 2025, ndërsa mund që tani të sigurohet në gjitha platformat online të shitjes së librave në këtë link: Stolz und Widerstand.
The post Shqipe Sylejmani prezanton librin e ri: një homazh për gratë dhe historinë tonë appeared first on Albinfo.