Në shtator, çdo e treta makinë e re ishte makinë elektrike

Kërkesa për makina elektrike vazhdon të rritet në Zvicër dhe në Lihtenshtajn.
Në shtator, 36 për qind e makinave të regjistruara rishtazi ishin automjete tërësisht elektrike.
Kjo është hera e parë që makinat elektrike përbëjnë më shumë se një të tretën e regjistrimeve të reja të makinave, njoftoi shoqata e industrisë “Auto-Schweiz”.
Hibridet “plug-in” – pra, automjetet me motor me djegie të brendshme dhe bateri që mund të karikohet nga rrjeti elektrik – zunë një pjesë prej 10 për qind në shtator.
Shoqata e sheh pozitivisht këtë zhvillim. Megjithatë: “Përshpejtimi i lëvizshmërisë elektrike mbetet ende me një çerek prapa parashikimeve të udhërrëfyesit për vitin 2025,” thotë drejtori Thomas Rücker në deklaratë, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.
Fillimisht, industria kishte vendosur si synim arritjen e një pjese tregu prej 50 për qind për automjetet “plug-in” (makinat elektrike dhe hibridet “plug-in”) deri në vitin 2025. “Kushtet kuadër për elektromobilitetin duhet të përmirësohen shpejt,” kërkon Rücker.
Më pak makina me benzinë dhe naftë
Në shtatorin e kaluar, në Zvicër u regjistruan gjithsej 21.948 makina të reja. Kërkesa për makina që përdorin vetëm benzinë ose naftë vazhdon të ulet. Së bashku, këto përbënin rreth një të pestën e regjistrimeve të reja muajin e kaluar.
Në shkallë vjetore, makinat elektrike aktualisht zënë një pjesë tregu prej 26 për qind, ndërsa hibridet “plug-in” përbëjnë 12 për qind të regjistrimeve të reja.
The post Në shtator, çdo e treta makinë e re ishte makinë elektrike appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



