Skandal në Zelandën e Re, mamaja fut vajzën 2-vjeçare brenda një valixheje në autobusin e linjës
Një vajzë dyvjeçare është gjetur gjallë brenda një valixheje të vendosur në ndarjen e bagazheve të një autobusi në Zelandën e Re. Ngjarja ka ndodhur të dielën gjatë një ndalese të planifikuar në qytetin Kaiëaka, rreth 100 kilometra në veri të Auckland-it. Shoferi i autobusit vuri re lëvizje brenda një valixheje pasi një pasagjer kërkoi [...]Read More...

Një vajzë dyvjeçare është gjetur gjallë brenda një valixheje të vendosur në ndarjen e bagazheve të një autobusi në Zelandën e Re.
Ngjarja ka ndodhur të dielën gjatë një ndalese të planifikuar në qytetin Kaiëaka, rreth 100 kilometra në veri të Auckland-it. Shoferi i autobusit vuri re lëvizje brenda një valixheje pasi një pasagjer kërkoi të aksesonte ndarjen e bagazheve. Kur valixhja u hap, brenda saj u zbulua vogëlushja.
Sipas shefit të hetuesisë, detektivit Simon Harrison, vajza ishte “shumë e nxehtë, por fizikisht dukej e padëmtuar”.
Fëmija u transportua menjëherë në spital, ku vijoi të qëndrojë të dielën për të iu nënshtruar ekzaminimeve të plota mjekësore. Autoritetet nuk bënë të ditur se për sa kohë ishte mbajtur vajza brenda valixhes dhe se cilat ishin qytetet ku po udhëtonte autobusi.
Një grua 27-vjeçare është arrestuar dhe akuzuar për keqtrajtim ose neglizhencë ndaj një fëmije. Hetuesi Harrison tha se nuk përjashtohet ngritja e akuzave të tjera.
Gruaja pritet të dalë përpara gjykatës të hënën. Për ngjarjen janë njoftuar gjithashtu edhe shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve.
Kompania Entrada Travel Group, e cila operon linjën kombëtare të autobusëve në Zelandën e Re, InterCity, konfirmoi për rrjetin NBC se incidenti ka ndodhur në një nga autobusët e saj.
“Policia u thirr në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Askush nuk është lënduar gjatë incidentit dhe shërbimi ka vijuar normalisht,” thuhet në deklaratën e kompanisë.
Sipas faqes zyrtare të InterCity, fëmijët deri në moshën 2-vjeçare udhëtojnë falas në prehërin e një të rrituri, ndërsa fëmijët mbi tre vjeç duhet të kenë biletë dhe të udhëtojnë me një kujdestar.
Detektivi Harrison vlerësoi shoferin e autobusit për vigjilencën dhe reagimin e shpejtë.
“Falë vëmendjes së tij, u parandalua një tragjedi e mundshme,” tha ai./abcnews.al