Skandali i ndërrimit të foshnjave në Amerikan 2: Iniciohen masa në Inspektoratin Shëndetësor

Kryeinspektori Shëndetësor ka marr disa masa ndaj zyrtarëve për mënyrën se si u trajtua rasti i ndërrimit të foshnjave në Spitalin Amerikan 2 në Prishtinë. Këtij institucioni iu shqiptua vetëm një vërejtje me shkrim pasi nuk e kishte lajmëruar infermieren në DLA, ndërsa lënda e infermieres nuk u procedua fare në OIK për shkelje etike dhe profesionale.
Ministria e Shëndetësisë sot ka njoftuar se janë marr disa masa në Inspektoratin Shëndetësor për mënyrën se si u trajtua rasti i ndërrimit të foshnjave në Spitalin Amerikan 2 në Prishtinë.
Në përgjigjen e MSh-së për Gazetën Shneta të dërguar sot rreth orës 08:00, thuhet se Kryeinspektori Shëndetësor i ka marr këto masa:
“Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar. Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim. Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Sipas MSh-së këto masa janë marr pasi janë evidentuar mangësi në veprimet e zyrtarëve.
“Pas shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit, janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor”.
Nga MSh kanë deklaruar se infermierja e rastit e cila dyshohet se e ka bërë ndërrimin e foshnjave kishte licence pune, por nuk ishte e lajmëruar në Departamentin e Licencimit dhe Akreditimit në MSh.
“Inspektorati Shëndetësor ka inspektuar rastin e ndërrimit të foshnjave, të ndodhur më 18 mars 2026. Inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna. Nga kontrolli i dokumentëve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA)”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Kujtojmë se inspektorja e rastit kishte marr vendim për Verejtje ndaj institucionit për moslajmërimin e infermieres në DLA, ndërsa për infermieren kishte rekomanduar shqyrtimin e shkeljes etike dhe profesionale në Odën e Infermierëve të Kosovës. Por lënda nuk ishte dërguar fare ne OIK. Kjo është konfirmuar dje nga Oda në një deklaratë për Gazetën Shneta.
“Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë e Kosovës (OIK), lidhur me pyetjen tuaj sqaron se dokumentacionin lidhur me këtë rast e ka pranuar sot nga Inspektorati Shëndetësor. Rasti do të trajtohet në përputhje me kompetencat ligjore të Odës dhe procedurat në fuqi për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me etikën dhe përgjegjësinë profesionale”, thuhet në përgjigjen e OIK.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



