Specialja përplas deputetët, PDK e AAK lëshojnë mbledhjen e komisionit

Deputetët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe Përparim Gruda, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjen në rendin e ditës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Deliu-Kodra ka thënë se është e papranueshme që komisioni të mblidhet për të trajtuar pika të tjera të rendit të ditës, ndërsa të mos shqyrtohet projektligji për Dhomat e Specializuara.
“Dhe për mua është krejtësisht joserioze që të ftohet komisioni për legjislacion dhe të trajtojmë sot gjashtë pika të rendit të ditës e të mos jetë i përfshirë ligji për Dhomat e Specializuara. PDK konsideron që në këto rrethana nuk ka prioritet më të madh. Ne bashkë me zotëri Grudën nuk do të qëndrojmë në mbledhjen e komisionit, dhe pas diskutimit të zotëri Gruda do të lëshojmë mbledhjen”, tha Deliu-Kodra.
Ndërsa Përparim Gruda tha se se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të qëndrojë pa vepruar lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë.
“Ne nuk mund të lejojmë që tre apo katër gjyqtarë atje në Hagë të na e përlyejnë historinë kështu, dhe ne si ligjvënës të mos marrim asnjë akt”, tha Gruda.
Ai u shpreh se ata që thonë se Kuvendi i Kosovës nuk mund të bëjë asgjë lidhur me Specialen, sipas tij, po i ikin përgjegjësisë.
“Kushdo që thotë se Kuvendi i Kosovës s’mund të bëjë kurrgjë, vetëm po i ik përgjegjësisë. Kuvendi i Kosovës është organi që e ka themeluar Gjykatën Speciale. Kuvendi i Kosovës mund ta zhbëjë Gjykatën Speciale, t’ia ndryshojë juridiksionin ashtu siç po themi ne”, deklaroi Gruda.
Mbledhjen e lëshoi edhe Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, i cili në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, ka folur për projektligjin për Specialen, duke shtruar pyetjen se pse ky ligj s’po dërgohet në Kuvend nga ministria e Drejtësisë.
Tahiri ka deklaruar se duhet reflektim serioz pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.
“Një çështje e cila është bukur jetike dhe e cila vjen si rrjedhojë e një vendimi të padrejtë, e një vendimi në masë të madhe e ka kthyer Kosovën në një situatë ku duhet reflektim shumë ma serioz pas vendimit të 16 shtatorit, nuk mund ta tejkalojmë sidomos ne këtu në komision. E konsideroj jetike. Bëj thirrje a bën veç me fol sinqertë. Në qoftë se nuk ka vullnet me ardhur ligji i cili është sot në Ministrinë e Drejtësisë në Kuvendin e Kosovës me thënë është qëndrim politik. Në qoftë se ka analizë, vlerësim që ky ligj nuk është boll. Të flasim këto 6 ditë veç pak sinqertë. Ta dimë pse s’po vjen ligji”, ka deklaruar Tahiri.
E mbi këto deklrata Vigan Qorrolli, kryetar i Komisionit për Legjislacion, tha se deputetët është dashur të qëndrojnë në sallë dhe t’i dëgjojnë kundërargumentet.
Qorolli: Shpresojmë që të kemi një president të Republikës dhe të vazhdojmë të punojmë në të mirën e qytetarëve të Kosovës
“Shpresojmë që të kemi një president të Republikës dhe të vazhdojmë të punojmë në të mirën e qytetarëve të Kosovës. Por këtu nuk po bëjmë vetëm politikë, kemi edhe profesionet tona. Prandaj më vjen keq që disa kolegë, edhe pse janë juristë, bëjnë politikë me gjëra për të cilat janë të bindur se nuk janë të tilla siç i deklarojnë. Prandaj më vjen keq që nuk rrinë t’i dëgjojnë kundërargumentet, i thonë replikat e pastaj e lëshojnë sallën, duke mos qenë të bindur në ato që i thonë”, u shpreh ai.
The post Specialja përplas deputetët, PDK e AAK lëshojnë mbledhjen e komisionit appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



