Studentët e BE-së pritet të paguajnë tarifa të njëjta me zviceranët në Universitete

Studentët nga vendet e Bashkimit Evropian që studiojnë në ETH Zurich ose EPFL do të mund të paguajnë të njëjtat tarifa shkollimi si studentët zviceranë, sipas marrëveshjes së re mes Zvicrës dhe BE-së. Këshilli i Shteteve ka dhënë mbështetjen për këtë ndryshim.
Aktualisht, studentët e huaj përballen me tarifa më të larta. Sipas marrëveshjes me Brukselin, qytetarët e BE-së në ETH Zurich dhe EPFL nuk do t’i nënshtroheshin më tarifës më të lartë të parashikuar për studentët e huaj, transmeton albinfo.ch.
Marrëveshja funksionon mbi bazën e reciprocitetit. Në këmbim, studentët zviceranë që zgjedhin të studiojnë në universitete të vendeve të BE-së do të përfitonin trajtim të barabartë me studentët vendas sa i përket tarifave. WRS
Megjithatë, senatorët nuk pranuan që i njëjti rregull të zbatohej automatikisht edhe për studentët nga vendet e EFTA-s. Sipas tyre, për këto shtete duhet fillimisht të negociohet një marrëveshje reciproke.
Për studentët që vijnë nga vende jashtë Bashkimit Evropian, rregullat do të mbeten dukshëm më të kushtueshme: tarifa e tyre duhet të jetë të paktën tri herë më e lartë se ajo që paguajnë studentët zviceranë.
Vendimi është veçanërisht i rëndësishëm për studentët evropianë që synojnë ETH Zurich dhe EPFL, dy institucionet federale kryesore të arsimit të lartë në Zvicër.
The post Studentët e BE-së pritet të paguajnë tarifa të njëjta me zviceranët në Universitete appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



