“Studenti” i Cyrihut afirmon identitetin shqiptar në hapësirën akademike

Shoqata “Studenti”, Cyrih synon të krijojë një hapësirë të qëndrueshme për përfaqësim, rrjetëzim dhe zhvillim të studentëve shqiptarë në Zvicër The post “Studenti” i Cyrihut afirmon identitetin shqiptar në hapësirën akademike appeared first on Albinfo.

“Studenti” i Cyrihut afirmon identitetin shqiptar në hapësirën akademike

Në mesin e shoqatave që bashkojnë studentët shqiptarë në Zvicër, shoqata “Studenti” e Cyrihut është ndër më të vjetrat dhe më aktivet. Ajo vepron pa ndërprerje që prej njëzetepesë vitesh ndërsa përpjekje për themelimin e një shoqate kishte edhe më parë.

Duke folur për kohën dhe rrethanat e krijimit, anëtarja e kryesisë së shoqatës, Flaka Haziri thotë se „Studenti“ u themelua në vitin 2000 nga një grup studentësh shqiptarë. Ajo lindi si një nevojë për të ndërtuar rrjete mbështetjeje mes studentëve shqiptarë dhe për të krijuar një hapësirë veprimi akademik, kulturor dhe solidar.

Përfshirja, struktura, misioni

“Aktualisht, Shoqata është e akredituar dhe vepron aktivisht në tre institucione të rëndësishme të arsimit të lartë në Zvicër: ETH Zürich, Universiteti i Zürichut (UZH), dhe ZHAW Winterthur”, shpjegon znj. Haziri.

“Misioni ynë është të bashkojmë studentët shqiptarë në Zvicër, të forcojmë ndjenjën e përkatësisë dhe të krijojmë kushte për përparim të përbashkët – qoftë në arsim, në kulturë apo në jetë publike”, shprehet tutje Flaka Haziri.

Në fokus kemi organizimin e eventeve akademike dhe kulturore, mbështetjen për orientimin universitar dhe profesional si dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm me organizata profesionale dhe institucione akademike”.

“Ndër shtyllat kryesore të angazhimit tonë është rrjetëzimi studentor, përmes të cilit krijojmë lidhje mes studentëve shqiptarë në universitete të ndryshme të Zvicrës dhe nxisim bashkëpunimin ndërdisiplinor. Një fokus i rëndësishëm është gjithashtu promovimi i kulturës shqiptare, i cili realizohet përmes diskutimeve publike, mbrëmjeve kulturore që sjellin në qendër trashëgiminë tonë kolektive. Krahas kësaj, ofrojmë mbështetje akademike për studentët që sapo kanë nisur studimet”.

Agjenda, aktivitetet

 “Në qendër të veprimtarisë së Shoqatës „Studenti“ qëndron ndërthurja e trashëgimisë kulturore me angazhimin akademik dhe shoqëror. Dy nga ngjarjet tona më të qëndrueshme janë “Sofra”, festa vjetore që mbledh studentë rreth muzikës, artit dhe ushqimit dhe “Festa e Flamurit”, e cila çdo 28 Nëntor shndërrohet në një akt të vetëdijshëm bashkimi dhe përfaqësimi të identitetit tonë kombëtar”.

Por, ka edhe shumë të tjera… “Një nga ngjarjet qendrore në semestrin e kaluar vjeshtor ishte ekspozita fotografike “Realities of War: Kosova’s Quest for Liberation”, organizuar me rastin e 25-vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë. Ekspozita u mbajt për një javë të tërë në sallën kryesore të Universitetit të Cyrihut. Ajo solli punën dhe fotografitë e Alan Chin, veprat e të cilit janë të botuara në “The New York Times” dhe të ekspozuara në “MoMA” New York”.

“Shoqata organizoi dy panele akademike në bashkëpunim me institutin e Universitetit të Cyrihut “Center for Eastern European Studies (CEES)” dhe drejtorin z. Prof. Dr. Jeronim Perović. Paneli i parë, “The Twin Hegemons of Eastern Europe: From Russkii Mir to Srpski Svet”, i mbajtur më 27 shkurt 2025, solli në qendër të vëmendjes ngjashmëritë strukturore dhe diskursive mes projekteve hegjemone ruse dhe serbe në Europën Lindore. Me pjesëmarrjen e Prof. Dr. Jens Oliver Schmitt, Dr. Armina Galijaš, Dr. Roman Horbyk, dhe nën moderimin e Prof. Dr. Jeronim Perović, u trajtuan temat e nacionalizmit, propagandës dhe ndikimit të tyre në rajon.

Paneli i dytë, “Transitional Justice”, zhvilluar më 6 maj 2025, mblodhi figura të njohura si Nataša Kandić dhe Shkëlzen Gashi në një diskutim të hapur mbi drejtësinë tranzicionale, dhe mbi mënyrat se si shoqëritë përballen me të kaluarën e dhunshme. Të dy panelet u zhvilluan në Universitetin e Cyrihut.

Po ashtu kemi qenë pjesë e organizimit së udhëtimit njëjavor drejt Horës së Arbëreshëvet në Sicili, në emër të Federatës së Shoqatave Studentore Shqiptare në Zvicër”, thotë tutje Flaka Haziri.

Sfidat

“Shoqata ofron mbështetje të shumanshme për studentët shqiptarë – që nga orientimi në sistemin universitar zviceran, këshillimi akademik si dhe ndihma në gjetjen e praktikave apo vendeve të punës”.

Si çdo organizim edhe “Studenti” ballafaqohet me sfida e vështirësi, cilat janë ato? “Si shoqatë studentore, përballemi shpesh me sfida organizative dhe financiare. Të gjitha aktivitetet tona realizohen në mënyrë vullnetare nga anëtarët e kryesisë dhe ndihmësve, pa mbështetje të jashtme financiare. Për shkak të qëndrimit tonë të vetëdijshëm për pavarësi politike dhe ekonomike, nuk mbështetemi në sponsorë, por kryesisht në përkrahjen institucionale të universiteteve dhe në angazhimin e anëtarëve tanë”, shprehet znj. Haziri,

Sipas saj “ ndër arritjet më domethënëse është fakti që gjithnjë e më shumë studentë shqiptarë angazhohen për çështje të rëndësishme të komunitetit. Na mbush me krenari kur shohim një student/e që, që, i afrohet kulturës dhe akademisë shqiptare dhe ndien përkatësi e përgjegjësi. Çdo individ i afruar është një vlerë e shtuar për të ardhmen tonë kolektive”.

Bashkëpunimet

“Bashkëpunimi është një shtyllë themelore e veprimtarisë sonë dhe një element që e zgjeron ndikimin e Shoqatës „Studenti“ përtej hapësirës universitare. Bashkëpunojmë ngushtë me universitetet ku jemi aktivë dhe me organizatat e tyre studentore si VSETH dhe VSUZH, me të cilat ndajmë infrastrukturë, përvojë organizative dhe mbështetje institucionale. Jemi gjithashtu pjesë e Federatës së Shoqatave Studentore Shqiptare në Zvicër, që përfshin tetë shoqata nga kantone të ndryshme.

Po ashtu kemi bashkëpunime me shoqatat profesionale shqiptare në Zvicër, si Albanian Engineering Association dhe Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, me të cilat zhvillojmë aktivitete që ndërlidhin botën studentore me rrjetet profesionale. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, Shoqata ka lidhje të forta edhe me përfaqësitë diplomatike shqiptare – ambasadën e Shqipërisë, atë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.

Kush e drejton shoqatën “Studenti”

Kryesia aktuale përbëhet nga një grup studentësh të angazhuar dhe vullnetarë, të cilët kontribuojnë në fushat përkatëse të organizimit të brendshëm dhe përfaqësimit të jashtëm të shoqatës: Zana Krasniqi dhe Idlir Begalla janë përgjegjës për organizimin e aktiviteteve; Altina Orani kujdeset për praninë digjitale në rrjete sociale; Hana Syla për komunikimin dhe ndërveprimin institucional; Jon Stojkaj për IT dhe çështje teknike; Anton Krasniqi si përgjegjës për arkën dhe menaxhimin financiar; Driton Hasanaj për marketingun dhe kontaktet me partnerët; ndërsa Bardh Jashari është në detyrën e kryetarit të Shoqatës. Shoqata ka një strukturë të hapur me mbi 110 anëtarë aktivë dhe rreth 700 anëtarë pasivë, thotë anëtarja e kryesisë së shoqatës “Studenti”.

.

Artikulli për “Studentin” është botuar edhe në magazinën print albinfo.ch, e cila në këtë numër i ka kushtuar fokus të veçantë organizatave shqiptare në Zvicër.

 

The post “Studenti” i Cyrihut afirmon identitetin shqiptar në hapësirën akademike appeared first on Albinfo.