Studimi në Zvicër: Shumë pak persona do ta shisnin veturën për hir të klimës

Studiuesit e ETH Zürich kanë analizuar të dhënat e 2,793 personave nga një mostër përfaqësuese në Zvicër, duke shqyrtuar se cilat masa personale do të ishin të gatshëm t’i ndërmerrnin për të ulur emetimet e tyre të gazrave serrë me 30 për qind, shkruan watson, transmeton albinfo.ch.
Rezultatet tregojnë se 56 për qind e të anketuarve arritën objektivin e reduktimit prej 30 për qind përmes masave që zgjodhën.
Më tërheqëse rezultuan masat që kërkojnë më pak ndryshime në jetën e përditshme. Rreth 58 për qind e personave për të cilët ishte e përshtatshme zgjodhën instalimin e pompës së nxehtësisë, ndërsa 54 për qind instalimin e paneleve diellore.
Edhe ndryshimet në sjelljen e përditshme gjetën mbështetje. Rreth 53 për qind zgjodhën uljen e temperaturës së ambienteve të banimit, ndërsa 36 për qind deklaruan se do të reduktonin fluturimet në distanca të gjata.
Pak persona të gatshëm të heqin dorë nga vetura
Megjithëse heqja dorë plotësisht nga vetura mund të sjellë një reduktim të konsiderueshëm të emetimeve personale, kjo masë ishte ndër më pak të preferuarat.
Sipas studimit, heqja dorë plotësisht nga vetura do të ulte mesatarisht me 14 për qind emetimet e përgjithshme personale, por vetëm një pjesë e vogël e të anketuarve zgjodhën këtë mundësi.
Dallime u vunë re edhe në varësi të të ardhurave. Rreth 8 për qind e personave me të ardhura më të ulëta ishin të gatshëm ta shisnin veturën, krahasuar me vetëm 4 për qind të personave me të ardhura të larta.
Në anën tjetër, personat me të ardhura më të larta ishin më të prirur të zgjidhnin masa më të kushtueshme teknologjike, si instalimi i pompave të nxehtësisë ose ndërrimi i automjetit.
Pompat e nxehtësisë ndër masat më efektive
Studimi tregon se instalimi i pompës së nxehtësisë kishte ndikimin më të madh mes pronarëve të shtëpive për të cilët kjo masë ishte e zbatueshme. Ata që e zgjodhën atë mund të reduktonin mesatarisht me 44 për qind emetimet e tyre të llogaritura.
Reduktimi i fluturimeve në distanca të gjata sillte mesatarisht një ulje prej 29 për qind të emetimeve totale të llogaritura.
Studiuesit vlerësojnë se politikat klimatike duhet të fokusohen veçanërisht te masat ku ndërthuren ndikimi i madh në klimë dhe gatishmëria e qytetarëve për t’i zbatuar ato. Ndër propozimet përmenden mbështetja e familjeve me të ardhura më të ulëta për kalimin në pompa të nxehtësisë dhe masa që synojnë personat që fluturojnë shpesh.
Anketa mbi të cilën bazohet studimi është realizuar në vitin 2022, ndërsa studiuesit theksojnë se nuk është matur nëse pjesëmarrësit i kanë zbatuar realisht masat që kishin zgjedhur.
The post Studimi në Zvicër: Shumë pak persona do ta shisnin veturën për hir të klimës appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



