Sulmi në Ibër-Lepenc, sot sërish para gjykatës vëllezërit Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq

Sulmi në Ibër-Lepenc, sot sërish para gjykatës vëllezërit Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq

Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë vazhdon sot, në orën 09:30, seanca gjyqësore ndaj tre të pandehurve për sulmin në kanalin “Ibër-Lepenc”, i cili ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.

Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon të tre të pandehurit për armëmbajtje pa leje, ndërsa Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq përballen edhe me akuzat për rrezikimin e rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjen e veprës terroriste dhe spiunazh.

Aktakuza ndaj tre të pandehurve është ngritur më 9 dhjetor 2025 nga Prokuroria Speciale. Sipas saj, të akuzuarit lidhen me sulmin që shkaktoi dëme të konsiderueshme në kanalin “Ibër-Lepenc”, një prej objekteve të rëndësishme të infrastrukturës ujore dhe energjetike të Kosovës, raporton Klan Kosova.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu janë përfshirë edhe deklarimet e Jovan Viqentijeviqit të dhëna para Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, Viqentijeviqi ka deklaruar se gjatë periudhës 14–23 shtator 2023 ishte trajnuar në poligonin ushtarak “Pasulanske Livade” në Serbi, së bashku me rreth 120 persona të tjerë.

Prokuroria thotë se në të njëjtin poligon, gjatë shtatorit 2023, ishin zhvilluar trajnime edhe nga grupi i Milan Radoiçiqit, i cili nga autoritetet e Kosovës është lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Në deklarimin e përfshirë në aktakuzë, Viqentijeviqi, sipas Prokurorisë, ka thënë se në Kosovë ishte planifikuar edhe një sulm tjetër në tetor 2024, por se ai ishte anuluar.

Në aktakuzë përmendet gjithashtu deklarimi se për realizimin e këtij sulmi ishte pritur përfundimi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Prova nga FBI-ja

Në mesin e provave të administruara nga Prokuroria është edhe një ekspertizë e kryer nga Byroja Federale e Hetimit e Shteteve të Bashkuara, FBI.

Sipas aktakuzës, ekspertiza ka konstatuar se materiali i gjetur në çizmet e të akuzuarve kishte strukturë, ngjyrë dhe përbërje të njëjtë me mostrën e marrë në vendin e shpërthimit në kanalin “Ibër-Lepenc”.

Kjo ekspertizë është një nga provat që pritet të shqyrtohet gjatë procesit gjyqësor, krahas provave të tjera të paraqitura nga Prokuroria dhe mbrojtja.

Sulmi në kanalin “Ibër-Lepenc”

Shpërthimi në kanalin “Ibër-Lepenc” ndodhi më 29 nëntor 2024 në Varagë të Zubin-Potokut. Shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha në kanal, i cili furnizon me ujë pjesë të rëndësishme të Kosovës dhe ka rol në proceset e prodhimit të energjisë.

Gjatë seancave gjyqësore pritet të shqyrtohen provat e Prokurorisë dhe të mbrojtjes, si dhe dëshmitë lidhur me rrethanat e shpërthimit dhe rolin e pretenduar të të akuzuarve.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.