Takimi i dytë në Zyrën Ovale/ Pa tensione dhe tone të larta, Trump e Zelensky ballë për ballë

I njëjti film, por skena të ndryshme. Dy protagonistët Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky qëndruan sërish përballë njëri tjetrit në zyrën ovale, por këtë herë me një shtrëngim miqësor duarsh, pa një përplasje që të shndërrohej në spektakël diplomatik për të gjithë botën. Në takimin e parë në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt, Zelensky [...]Read More...

Takimi i dytë në Zyrën Ovale/ Pa tensione dhe tone të larta, Trump e Zelensky ballë për ballë

I njëjti film, por skena të ndryshme. Dy protagonistët Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky qëndruan sërish përballë njëri tjetrit në zyrën ovale, por këtë herë me një shtrëngim miqësor duarsh, pa një përplasje që të shndërrohej në spektakël diplomatik për të gjithë botën.

Në takimin e parë në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt, Zelensky u vu me shpatulla pas murit. Ai u akuzua nga Trump dhe zëvendëspresidenti amerikan për mosmirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara.

Këtë herë, kreu i shtetit ukrainas duket se kishte nxjerrë mësime. Vetëm në nisje të takimit në zyrën ovale, Zelensky e tha plot tetë herë fjalën faleminderit.

“Faleminderit shumë, zoti President, nëse mundem, para së gjithash, faleminderit për vëmendjen tuaj. Faleminderit shumë për përpjekjet tuaja, përpjekjet personale për të ndalur vrasjet dhe për të ndalur këtë luftë. Faleminderit,” tha Zelensky.

Një falënderim ai pati edhe për zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, për të cilën bashkëshotja e tij Olena Zelenskaya kishte dërguar një letër.

Falënderimet e tjera pasuan për aleatët e Ukrainës, ndërsa kjo fjalë u përsërit të paktën tre herë gjatë pyetjeve të gazetarëve.

Edhe pse nga përdorimi kaq i shpeshtë i fjalës faleminderit mund të duket sikur Zelensky foli shumë, në fakt ai ishte më i tërhequr, edhe kur gazetarët i drejtonin pyetje. Në takimin e parë çdo fjalë e tij iu përdor kundër dhe këtë herë kreu i shtetit ukrainas u tregua më i përmbajtur, më diplomatik, ashtu si edhe pala që kishte përballë. Zëvendëspresidenti JD Vance që u përplas ashpër me Zelenskyn në takimin e parë, këtë herë qëndroi i heshtur krah sekretarit të Shtetit Marco Rubio.

Edhe vetë presidenti amerikan Donald Trump u tregua më miqësor, më i përmbajtur dhe madje shprehu dashurinë e tij për popullin ukrainas.

Edhe këtë herë veshja e Volodymyr Zelensky mori vëmendjen. Lideri ukrainas kishte hequr dorë nga kostumi I zakonshëm ushtarak dhe mbante këtë herë xhaketë dhe këmishë.

Gazetari që 6 muaj më pari e kritikoi për veshjen, këtë herë e komplimentoi, duke i thënë se duket shumë mirë. Zelensky i priti këto fjalë i buzëqeshur. Edhe vetë Trump e përgëzoi për veshjen, pasi herën e parë shprehu pakënaqësinë e tij me paraqitjen e Zelensky, menjëherë pasi i dha dorën në hyrje të Shtëpisë së Bardhë. / abcnews.al /