Keni targa të huaja? Ja si mund t’i kontrolloni dhe paguani gjobat përmes “Qyteti i Sigurt”

Ministria e Punëve të Brendshme i njofton pronarët dhe drejtuesit e automjeteve me targa të huaja se përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” mund të kontrollojnë nëse automjeti i tyre është evidentuar për ndonjë kundërvajtje në komunikacion dhe ta kryejnë pagesën në mënyrë elektronike.
Për këtë qëllim është në dispozicion aplikacioni ueb “Qyteti i Sigurt”, i përshtatur edhe për përdorim përmes telefonit celular. Përdoruesit mund të regjistrohen, të kontrollojnë nëse kanë kundërvajtje të evidentuara, të shohin urdhërpagesat e lëshuara dhe t’i paguajnë ato në mënyrë elektronike.
Përdorimi i aplikacionit nuk është i detyrueshëm, por u mundëson drejtuesve që kundërvajtjet t’i kontrollojnë dhe t’i shlyejnë paraprakisht, duke shmangur vonesat gjatë daljes nga vendi.
Për ata që nuk e përdorin aplikacionin, informacioni për ndonjë kundërvajtje të mundshme mund të merret edhe gjatë daljes nga Maqedonia e Veriut, përmes pikës kufitare Tabanoc. Në këtë rast, pagesa mund të bëhet vetëm me kartelë bankare, ndërsa pagesa me para të gatshme nuk është e paraparë.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se po ndërmerren aktivitete që mundësia për informim dhe shlyerje të këtyre detyrimeve të jetë në dispozicion edhe në pika të tjera kufitare.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



