Tarifë 15 përqind mbi importet/ BE dhe SHBA dakord, ekspertët shqetësime për inflacion e pasiguri
Vendet e Bashkimit Europian kanë reaguar pasi unioni arriti marrëveshje me shtetet e bashkuara për tarifa 15% për importet e mallrave. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se e sheh pozitivisht marrëveshjen, të cilën e cilësoi një bazë të qëndrueshme. “Padyshim që e konsideroj pozitiv faktin që është arritur një marrëveshje. Gjithmonë kam menduar se një [...]Read More...

Vendet e Bashkimit Europian kanë reaguar pasi unioni arriti marrëveshje me shtetet e bashkuara për tarifa 15% për importet e mallrave.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se e sheh pozitivisht marrëveshjen, të cilën e cilësoi një bazë të qëndrueshme.
“Padyshim që e konsideroj pozitiv faktin që është arritur një marrëveshje. Gjithmonë kam menduar se një përshkallëzim tregtar midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara do të kishte pasoja të paparashikueshme, potencialisht shkatërruese”, është shprehur kryeministrja italiane.
Megjithatë ajo theksoi se nevojitet më shumë qartësi për sektorët e bujqësisë dhe prodhimit të gazit, duke shtuar se ka ende shumë punë për të bërë.
Nga ana tjetër kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se e mbështet marrëveshjen, por pa asnjë entuziazëm.
Sanchez shtoi se një nga mësimet që Europa duhet të nxjerrë nga kjo marrëveshje është nevoja që unioni të diversifikojë partnerët tregtarë.
Ndërkohë ministri francez për Evropën dhe Tregtinë e Jashtme tha se marrëveshja u jep kompanive stabilitetin e shumëpritur, por mbetet e pabalancuar.
Ai paralajmëroi se lufta e tarifave e shkaktuar nga Uashingtoni nuk i shërben interesit të askujt, duke parashikuar çmime më të larta, inflacion në SHBA dhe një ngadalësim të ekonomisë globale.
Marrëveshja u prit me skepticizëm edhe nga ekonomistët. Ekonomisti Nicolas Poitiers nga qendra e ekspertëve Bruegel tha për Associated Press se vendosja e tarifës prej 15% për partnerin më të afërt tregtar është një ide e pamend. Poitiers shtoi se kjo tregon dobësinë e Evropës dhe kjo nuk është diçka pozitive.
Ndërkohë, Thibaut L’Ortye, Drejtor i Lartë i Çështjeve Publike në Dhomën Amerikane të Tregtisë në BE, tha se marrëveshja ofroi një ndjesi lehtësimi për kompanitë amerikane në Evropë.
Megjithatë ai theksoi se edhe një tarifë prej 15% është një rritje e konsiderueshme kostove tregtare në të dyja anët e oqeanit, sepse kjo lëvizje do të prekë të gjithë zinxhirët e furnizimit.