Thaçi dikur e mbështeste kërkesën për komunë të boshnjakëve – PDK thotë se qeveria e ardhshme duhet ta trajtojë
Kërkesa për themelimin e një komune të veçantë për komunitetin boshnjak në Republikën e Kosovës është riaktualizuar në ditët e fundit, duke u shndërruar në një nga çështjet kyçe të negociatave për formimin e qeverisë së re. Edhe pse së fundmi është paraqitur si kusht politik nga deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje – e
Kërkesa për themelimin e një komune të veçantë për komunitetin boshnjak në Republikën e Kosovës është riaktualizuar në ditët e fundit, duke u shndërruar në një nga çështjet kyçe të negociatave për formimin e qeverisë së re.
Edhe pse së fundmi është paraqitur si kusht politik nga deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje – e cila kërkon themelimin e kësaj komune në këmbim të votës për Albin Kurtin si mandatar për krijimin e qeverisë – kjo kërkesë nuk është e re në skenën politike të vendit.
Vite më parë, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte shprehur mbështetje për këtë iniciativë dhe kishte ndërmarrë hapa për ta proceduar atë, por për arsye të njohura, ajo nuk arriti të konkretizohej.
Në një prononcim për Gazetën Express, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, deklaroi se qeveria e ardhshme duhet ta trajtojë me seriozitet kërkesën në fjalë.
“Kërkesa për themelimin e një komune të komunitetit boshnjak është trajtuar edhe më herët dhe ka pasur mbështetjen e ish-presidentit Thaçi. Ne mendojmë se kjo kërkesë e kahmotshme e komunitetit boshnjak duhet trajtuar në përputhje me standardet kushtetuese e institucionale. E ardhmja politike e Kosovës duhet të ndërtohet mbi parimin e barazisë dhe përfaqësimit, andaj qeveria e ardhshme ka detyrë që këtë çështje ta shqyrtojë me seriozitet”, u shpreh Abdullahu.Ai shtoi se Partia Demokratike e Kosovës e sheh përfshirjen e komuniteteve si themel të konsolidimit të brendshëm të shtetit.
Komuniteti boshnjak në Kosovë jeton kryesisht në rajonet e Prizrenit, Dragashit, Pejës, Istogut dhe Mitrovicës. Prej vitesh, përfaqësuesit e tyre politikë kanë kërkuar themelimin e një komune ku ky komunitet do të përbënte shumicën, me qëllim të ruajtjes së identitetit, përfaqësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm brenda sistemit institucional të Kosovës.