Thatësira zbulon gjurmë të reja romake në Zvicër

Thatësira zbulon gjurmë të reja romake në Zvicër

Thatësira e jashtëzakonshme gjatë verës së këtij viti ka nxjerrë në pah nga ajri gjurmë të reja të vendbanimeve romake në Zvicër, raporton albinfo.ch. Fenomeni lidhet me faktin se bimësia mbi mure dhe dysheme të varrosura rritet më pak dhe thahet më shpejt, duke krijuar forma që mund të dallohen nga avionët ose dronët, transmeton albinfo.ch.

Në Avenches të kantonit Vaud, ku ndodhej Aventicum – kryeqyteti i Helvetisë romake – fotografitë ajrore kanë zbuluar struktura që plotësojnë boshllëqe të hershme në hartën e qytetit antik. Mes tyre janë identifikuar një basen i madh që lidhej me banjat publike, një rrugë, një lagje me planimetri të panjohur më parë, një ndërtesë që mund të ketë qenë vilë, si dhe ndërtesa të mëdha drejtkëndëshe në periferi, disa prej të cilave janë rreth 25 deri në 30 metra të gjata.

Arkeologu kantonal i Vaud-it, Jordan Anastassov, i ka cilësuar këto ndër zbulimet më të rëndësishme në Avenches gjatë 50 viteve të fundit.

Fenomeni nuk është i ri. Thatësira e vitit 1976 kishte zbuluar, ndër të tjera, shtrirjen e plotë të një vile romake në Orbe. Por përmasat e këtij viti kanë bërë që disa kantone të përdorin më gjerësisht avionët dhe dronët për vëzhgime arkeologjike.

Për arkeologët zviceranë, kjo po ndryshon edhe mënyrën e planifikimit të punës. Me pritshmërinë që periudhat e thatësirës të përsëriten, po shqyrtohet monitorimi i planifikuar nga ajri, duke përcaktuar paraprakisht zonat, kohën dhe teknologjinë më të përshtatshme. Në Gjenevë po përdoren fluturime për të rishikuar vendet e identifikuara që në vitet ’70, ndërsa në Aargau po shqyrtohet përdorimi i dronëve multispektralë me kamera termike. /Albinfo.ch

The post Thatësira zbulon gjurmë të reja romake në Zvicër appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.