Ticino hap një sektor të ri burgu për gratë

Në burgun La Stampa, në Lugano të kantonit të Ticinos, është hapur javën e kaluar një sektor i ri për gratë e burgosura. Objekti ka gjithsej 11 vende, ndërsa nëntë prej qelive tashmë janë të zëna.
Sektori i ri synon t’i përgjigjet rritjes së numrit të grave në sistemin penitenciar dhe të sigurojë kushte më të përshtatshme për vuajtjen e dënimit, sipas Departamentit të Drejtësisë dhe Policisë të kantonit të Ticinos.
Hapësirat e reja përfshijnë ambiente të përbashkëta, një kuzhinë të madhe dhe një punëtori ku të burgosurat mund të angazhohen në aktivitete pune. Në mesin e 11 vendeve është edhe një qeli e përshtatur për një nënë me fëmijë deri në moshën trevjeçare.
Deri më tani, gratë e burgosura në Ticino sistemoheshin në qendrën e paraburgimit La Farera ose transferoheshin në institucione jashtë kantonit, veçanërisht kur dënoheshin me burgim më të gjatë.
Kjo situatë sillte vështirësi për shkak të pengesave gjuhësore dhe largësisë nga familjet e fëmijët. Sipas gazetares Martina Kobiela nga gazeta Tessiner Zeitung, transferimet jashtë kantonit shkaktonin gjithashtu kosto të konsiderueshme financiare.
Kushtet e paraburgimit, nën kritika
Për dënime më të shkurtra, deri në një vit, gratë shpesh mbaheshin në qendrën e paraburgimit La Farera, ku kushtet janë dukshëm më të rrepta sesa në burgjet e zakonshme.
Sipas Kobielës, të burgosurat shpesh detyroheshin të qëndronin në qeli deri në 22 orë në ditë, me qasje të kufizuar në arsim dhe programe rehabilitimi.
Problemet ishin evidentuar edhe nga institucionet mbikëqyrëse. Pas një vizite në vitin 2024, Komisioni Kombëtar për Parandalimin e Torturës kritikoi kushtet e ndalimit. Ndërkaq, që në vitin 2023, Departamenti Kantonal i Drejtësisë kishte pranuar se kushtet për gratë ishin tepër të rrepta.
Më shumë autonomi për të burgosurat
Një nga risitë e sektorit të ri është mundësia që gratë ta organizojnë më shumë vetë jetën e tyre të përditshme. Ato do të kenë çelësat e qelive të tyre, duke mundur të tërhiqen në hapësirën personale dhe ta mbyllin derën. Megjithatë, personeli mbikëqyrës do të ruajë të drejtën e hyrjes në çdo kohë.
Sipas Kobielës, nëse ky model funksionon mirë për gratë, në të ardhmen mund të shqyrtohet zbatimi i tij edhe për burrat e burgosur, duke u dhënë atyre më shumë autonomi dhe, ndoshta, çelësat e qelive të tyre.
Ticino përballet me mbipopullimin e burgjeve
Kantoni i Ticinos prej kohësh përballet me mbipopullimin e institucioneve penitenciare, veçanërisht të qendrës së paraburgimit, e cila po i afrohet kufirit të kapaciteteve.
Drejtori i burgjeve të kantonit, Stefano Laffranchini, ia atribuon këtë situatë, ndër të tjera, pozitës gjeografike të Ticinos. Trafikimi i drogës, vjedhjet ndërkufitare dhe problemet që lidhen me flukset e migracionit janë, sipas tij, karakteristika të një kantoni kufitar dhe tranzit.
Sektori i mëparshëm për gratë ishte mbyllur rreth 20 vjet më parë, pasi nevojiteshin më shumë hapësira për burrat e burgosur. Në atë kohë, në Ticino vuanin dënimin vetëm tri gra.
Sot, gratë përbëjnë rreth 6 për qind të popullsisë së burgjeve. Ato që vuajnë dënime veçanërisht të gjata, në disa raste, vazhdojnë të mbahen në institucione jashtë kantonit.
Hapja e sektorit të ri përfaqëson një hap drejt përmirësimit të kushteve të vuajtjes së dënimit për gratë, duke synuar njëkohësisht më shumë mundësi për rehabilitim, ruajtjen e lidhjeve familjare dhe rritjen e autonomisë brenda burgut/albinfo.ch/
The post Ticino hap një sektor të ri burgu për gratë appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



