Trump autorizon dislokimin e 300 trupave të Gardës Kombëtare në Çikago

Presidenti Donald Trump ka autorizuar dërgimin e 300 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në Çikago, me qëllim frenimin e asaj që ai e cilëson si kriminalitet jashtë kontrollit në qytet. Vendimi vjen disa orë pasi autoritetet e emigracionit raportuan një përplasje me protestues në këtë qytet të drejtuar nga demokratët, ku një grua e armatosur u [...]Read More...

Trump autorizon dislokimin e 300 trupave të Gardës Kombëtare në Çikago

Presidenti Donald Trump ka autorizuar dërgimin e 300 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në Çikago, me qëllim frenimin e asaj që ai e cilëson si kriminalitet jashtë kontrollit në qytet.

Vendimi vjen disa orë pasi autoritetet e emigracionit raportuan një përplasje me protestues në këtë qytet të drejtuar nga demokratët, ku një grua e armatosur u qëllua nga oficerët federalë, pasi ajo dhe disa të tjerë goditën me makina mjetet e zbatimit të ligjit.

Guvernatori i Illinois, JB Pritzker, e kritikoi ashpër vendimin, duke e quajtur një përpjekje për të “sajuar një krizë”. Ai dhe liderë të tjerë lokalë e shtetërorë kanë kundërshtuar prej javësh planet e presidentit për dislokimin e trupave, duke e cilësuar atë një abuzim me pushtetin ekzekutiv.

Ndërkohë, në një zhvillim paralel, një gjykatëse federale në Portland, Oregon – një tjetër qytet liberal – ka bllokuar përkohësisht dislokimin e 200 trupave nga administrata Trump. Gjykatësja Karin Immergut tha se deklaratat e presidentit për situatën në Portland nuk kishin lidhje me faktet dhe se vendimi i tij binte ndesh me Kushtetutën.

Sipas saj, përdorimi i ushtrisë pa pëlqimin e shtetit të Oregonit cenon sovranitetin e shteteve dhe vetëm sa përshkallëzon tensionet në qytet, duke nxitur edhe më shumë protesta. Immergut shtoi se kjo ndërhyrje rrezikon të fshijë vijën ndarëse mes pushtetit civil dhe atij ushtarak, në dëm të vetë kombit.

Ende nuk është e qartë nëse trupat e Gardës Kombëtare kanë mbërritur në Çikago, por çdo përpjekje e tillë pritet të përballet me sfida ligjore. Çikago është qyteti më i fundit – shumica të drejtuar nga demokratët që përballet me dislokim të kontestuar trupash federale, bashkë me Uashingtonin, Los Anxhelosin, Memfisin dhe Portlandin.

Këto dislokime kanë ngritur pikëpyetje serioze ligjore dhe kushtetuese, pasi Garda Kombëtare zakonisht dislokohet me urdhër të guvernatorëve, ndërsa ligje të vjetra mbi një shekull kufizojnë përdorimin e ushtrisë për çështje të brendshme.

Çikago ka parë rritje të protestave kundër zbatimit të ligjeve të emigracionit, shumica para ndërtesave të Agjencisë Amerikane për Imigracion dhe Dogana (ICE).

“Në kushtet e trazirave të dhunshme dhe mungesës së rendit, që udhëheqësit lokalë si guvernatori Pritzker kanë refuzuar t’i ndalin, Presidenti Trump ka autorizuar 300 pjesëtarë të Gardës Kombëtare për të mbrojtur oficerët dhe asetet federale,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson. “Presidenti Trump nuk do të qëndrojë indiferent ndaj mungesës së rendit që po shkatërron qytetet amerikane.”

Të shtunën pak para autorizimit për trupat autoritetet e Sigurisë Kombëtare njoftuan se një grua e armatosur u qëllua nga policia kufitare në Çikago, pas një incidenti ku disa persona goditën me automjete mjetet e zyrtarëve të emigracionit. Sipas njoftimit, gruaja ishte e armatosur dhe më pas u vetë-dërgua në spital, por gjendja e saj shëndetësore mbetet e paqartë.

Në fillim të javës, presidenti Trump foli për planet për dislokime të trupave në qytetet amerikane, gjatë një takimi me drejtues të lartë të ushtrisë. Ai u shpreh se qytetet amerikane duhet të përdoren si “terrener stërvitor” për ushtarët amerikanë, për t’i përgatitur ata kundër “armikut të brendshëm”.

“Janë vende shumë të pasigurta dhe do t’i vëmë në rregull një e nga një,” tha Trump, duke përmendur Çikagon dhe qytete të tjera të drejtuara nga demokratët. “Kjo do të jetë një pjesë e rëndësishme për disa nga ju në këtë dhomë,” u tha ai ushtarakëve.

Presidenti Trump ka kërcënuar prej gati një muaji se do të dërgojë trupa në Çikago, duke përmendur kriminalitetin dhe rritjen e të shtënave me armë në qytet.

Megjithatë, sipas Këshillit për Drejtësi Penale, krimi i dhunshëm në Çikago ka rënë ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Gjatë periudhës janar-qershor, numri i vrasjeve ka rënë me një të tretën krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, niveli i përgjithshëm i kriminalitetit mbetet ende dukshëm më i lartë se mesatarja e qyteteve të tjera amerikane. Vetëm gjatë fundjavës së Ditës së Punës, muajin e kaluar, të paktën 58 persona u qëlluan me armë, tetë prej të cilëve humbën jetën.