Trump kërcënon me tarifa10% vendet që mbështesin BRICS-in kundër interesave amerikane

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se çdo vend që rreshtohet përkrah politikave të aleancës BRICS, të cilat bien ndesh me interesat e SHBA-së, do të përballet me një tarifë shtesë prej 10%. “Çdo vend që bashkohet me politikat anti-amerikane të BRICS-it, do të përballet me një TARIFË SHTESË prej 10%. Nuk do të ketë [...]Read More...

Trump kërcënon me tarifa10% vendet që mbështesin BRICS-in kundër interesave amerikane

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se çdo vend që rreshtohet përkrah politikave të aleancës BRICS, të cilat bien ndesh me interesat e SHBA-së, do të përballet me një tarifë shtesë prej 10%.

“Çdo vend që bashkohet me politikat anti-amerikane të BRICS-it, do të përballet me një TARIFË SHTESË prej 10%. Nuk do të ketë përjashtime nga kjo politikë,” shkroi Trump të dielën në platformën e tij, Truth Social.

Komentet e tij vijnë pasi vendet anëtare të BRICS kritikuan politikat tarifore të Trump-it dhe propozuan reforma në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), si dhe në mënyrën se si vlerësohen monedhat kryesore ndërkombëtare.

Trump ka qenë prej kohësh kritik ndaj BRICS-it – një aleancë që synon të rrisë peshën ndërkombëtare të vendeve anëtare dhe të sfidojë ndikimin e SHBA-së dhe Europës Perëndimore.

Vitin e kaluar, BRICS u zgjerua nga përbërja tradicionale me Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, duke përfshirë edhe Egjiptin, Etiopinë, Indonezinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto vende së bashku përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës.

Krerët e BRICS-it, të cilët këtë fundjavë nisën një takim në Rio de Janeiro, Brazil, bënë thirrje për reforma në institucionet globale dhe e pozicionuan aleancën si një platformë diplomatike në një kohë përshkallëzimi të konflikteve tregtare dhe tensioneve gjeopolitike.

Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të Financave të vendeve anëtare, u kritikuan tarifat si kërcënim për ekonominë globale, duke sjellë “pasiguri në aktivitetet ekonomike dhe tregtare ndërkombëtare.”

Po ashtu, liderët e BRICS dënuan sulmet ushtarake ndaj Iranit në qershor, duke i cilësuar si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Që nga 13 qershori, si Izraeli ashtu edhe SHBA kanë kryer sulme ndaj objektivave iraniane, përfshirë edhe ato të lidhura me programin bërthamor.

Samiti u ndoq fizikisht nga liderë botërorë si kryeministri indian Narendra Modi dhe presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa. Presidenti kinez Xi Jinping mungoi për herë të parë, dhe në vend të tij mori pjesë kryeministri Li Qiang.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin, ndaj të cilit ekziston një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte në Ukrainë, mori pjesë në mënyrë virtuale.

Që në vitin 2024, Trump ka kërcënuar me tarifa 100% ndaj vendeve të BRICS-it nëse ato ecin përpara me krijimin e një monedhe të përbashkët që do të sfidonte dollarin amerikan./abcnews.al