Trump nënshkruan marrëveshje me AstraZeneca: Ulje çmimesh për barnat në këmbim të lehtësirave doganore

Presidenti amerikan Donald Trump ka zyrtarizuar një marrëveshje me kompaninë britanike të barnave AstraZeneca, sipas së cilës disa prej ilaçeve të saj do të shiten me çmime të reduktuara për programin shtetëror Medicaid, në këmbim të përjashtimeve nga tarifat doganore për një periudhë trevjeçare. Marrëveshja, e shpallur të premten nga Shtëpia e Bardhë, ndjek një [...]Read More...

Trump nënshkruan marrëveshje me AstraZeneca: Ulje çmimesh për barnat në këmbim të lehtësirave doganore

Presidenti amerikan Donald Trump ka zyrtarizuar një marrëveshje me kompaninë britanike të barnave AstraZeneca, sipas së cilës disa prej ilaçeve të saj do të shiten me çmime të reduktuara për programin shtetëror Medicaid, në këmbim të përjashtimeve nga tarifat doganore për një periudhë trevjeçare.

Marrëveshja, e shpallur të premten nga Shtëpia e Bardhë, ndjek një model të ngjashëm me atë që u arrit javën e kaluar me gjigantin farmaceutik Pfizer, dhe shënon një tjetër hap në përpjekjet e administratës për të ulur çmimet e barnave në SHBA – që aktualisht janë më të lartat në botë.

“Do të ofrojmë disa nga barnat tona me deri në 80% ulje nga çmimi i listës përmes platformës së re TrumpRx, e cila do të lançohet vitin e ardhshëm,” deklaroi CEO i AstraZeneca, Pascal Soriot, gjatë një eventi në Zyrën Ovale.

Sipas marrëveshjes, AstraZeneca do të përfitojë përjashtim nga tarifat për tre vite, duke iu dhënë mundësia të lokalizojë prodhimin e pjesës tjetër të portofolit të saj të barnave në SHBA.

SHBA ka përballuar prej kohësh kritika për kostot e larta të barnave – me pacientët amerikanë që paguajnë mesatarisht trefishin e çmimeve krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara. Trump ka kërkuar që kompanitë të ulin çmimet në nivelet që paguhen jashtë SHBA-së, përndryshe do të përballen me tarifa të rënda doganore.

Në korrik, presidenti i kishte dërguar letra 17 kompanive farmaceutike duke u kërkuar të reduktojnë çmimet. Pfizer dhe AstraZeneca janë të parat që pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje, ndërsa të tjerat janë ende në negociata ose nën presion.

Muajin e kaluar, Trump kishte kërcënuar me tarifa 100% për kompanitë që nuk pranonin të ulnin çmimet apo të zhvendosnin prodhimin në SHBA.

Programi Medicaid, i cili mbulon mbi 70 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta, ka tashmë çmimet më të ulëta të barnave në SHBA, kështu që ndikimi i marrëveshjes mund të jetë i kufizuar, sipas ekspertëve.

“Nëse sheh portofolin e AstraZeneca-s, nuk ka shumë barna që do të çojnë në ulje domethënëse të çmimeve për Medicaid,” tha Craig Garthwaite, profesor në Universitetin Northwestern.

Nga ana tjetër, Rena Conti, profesoreshë në Universitetin e Bostonit, shprehu skepticizëm për ndikimin real të kësaj marrëveshjeje në xhepat e qytetarëve amerikanë:

“Uljet e tilla mund të shmangin tarifat për kompanitë, por nuk do të ndryshojnë situatën me rritjen e primeve të sigurimeve shëndetësore apo kostot që pacientët paguajnë direkt për barna.”

Megjithatë, administrata Trump e konsideron këtë si një precedent për marrëveshje të ngjashme me kompani të tjera farmaceutike, duke e bërë uljen e çmimeve të barnave një nga prioritetet kryesore të politikës së brendshme.  / abcnews.al /