Udhëtimi sekret i Netanyahut në Emirate, çfarë fshihet pas takimit njëorësh me presidentin

Udhëtimi sekret i Netanyahut në Emirate, çfarë fshihet pas takimit njëorësh me presidentin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu raportohet se zhvilloi gjatë fundjavës një udhëtim të fshehtë në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i kërkuar udhëheqësit të vendit, sheikut Mohammed bin Zayed, të përgënjeshtronte raportimet e disa mediave, sipas të cilave ai e kishte paralajmëruar kryeministrin izraelit për një kërcënim të afërt nga Hamasi, përpara sulmit të organizatës palestineze më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit.

Kryeministri izraelit zhvilloi të dielën një takim rreth njëorësh me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, sipas dy personave të informuar mbi udhëtimin. Vizita u bë publike të dielën nga televizioni izraelit Channel 12.

Një burim në dijeni të çështjes i tha Associated Press se bisedimet u përqendruan te një artikull i publikuar më herët gjatë këtij muaji nga gazeta izraelite Haaretz. Sipas artikullit, udhëheqësi i Emirateve e kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm të afërt të Hamasit, pak përpara sulmit të 7 tetorit 2023, i cili solli nisjen e luftës në Rripin e Gazës.

Sipas të njëjtave burime, Netanyahu i kërkoi sheikut Mohammed bin Zayed që ta përgënjeshtronte artikullin. Pretendimet e publikuara në të ishin mohuar pothuajse menjëherë edhe nga zyra e kryeministrit izraelit.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk ka komentuar raportimet për takimin mes dy udhëheqësve. Megjithatë, ajo ka deklaruar se mban “linja të hapura dhe të drejtpërdrejta komunikimi” me Izraelin dhe se ndan me të “të gjitha informacionet përkatëse”.

The post Udhëtimi sekret i Netanyahut në Emirate, çfarë fshihet pas takimit njëorësh me presidentin appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.