Sot varroset zyrtari policor Altin Kryeziu, humbi jetën pas aksidentit në Malishevë

Sot, familjarët, miqtë, kolegët dhe qytetarë të shumtë do t’i japin lamtumirën e fundit zyrtarit policor Altin Kryeziu nga Bubaveci i Malishevës, i cili ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas plagëve të marra në një aksident trafiku.
Kryeziu u godit nga një veturë disa ditë më parë në Malishevë, derisa ishte duke kryer detyrën zyrtare. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të pësuara.
Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të mbahet sot në varrezat e fshatit Bubavec, duke filluar nga ora 17:00.
Në njoftimin mortor, familja e ka përshkruar Altin Kryeziun si një djalë, polic dhe njeri që la pas kujtime të shumta, dhimbje dhe respekt.
“Në këtë ditë të rëndë, do t’i japim lamtumirën e fundit Altinit, djalit, policit dhe njeriut që la pas kujtime, dhimbje e respekt të pashlyeshëm. U prehsh në paqe, Altin. Lavdi jetës dhe veprës tënde!”, thuhet në njoftimin e familjes.
Vdekja e tij ka prekur thellë familjarët, kolegët dhe komunitetin, ndërsa sot në Bubavec pritet të mblidhen të shumtë për t’i dhënë lamtumirën e fundit zyrtarit policor.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



