Vazhdon kaosi dhe dhuna në Tiranë (LIVE)

Vazhdon kaosi dhe dhuna në Tiranë (LIVE)

Tensione të forta janë regjistruar pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku janë dëgjuar shpërthime të shumta gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Protestuesit kanë hedhur bomba molotov në drejtim të efektivëve, ndërsa palët janë gjendur shumë pranë njëra-tjetrës, në një situatë të tensionuar.

Në përgjigje, Policia ka përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës për të shpërndarë turmën. Ndërhyrja ka shoqëruar përshkallëzimin e përplasjeve në zonën pranë godinës së Kuvendit.

Rreth orës 19:00 selia e Partisë Socialiste në Tiranë është bërë sërish epiqendër e përplasjeve gjatë protestës, ku një grup protestuesish kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës.

Përballë këtij sulmi, forcat e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit dhe për të larguar turmën nga ambientet e selisë.

Godina e Ministrisë së Infrastrukturës është përfshirë nga flakët pas tensioneve të regjistruara në Tiranë gjatë protestës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë, ku mbetën të plagosur 10 punonjës policie. Sipas tij, persona të maskuar përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe efektivëve që ndodheshin në shërbim.

Në deklaratën e tij, Hita theksoi se punonjësit e plagosur nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave. Ai shtoi se sulmi krijoi rrezik edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit.

“Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë”, deklaroi Hita, duke e cilësuar dhunën ndaj efektivëve si të papranueshme dhe të dënueshme me ligj.

Kreu i Policisë së Shtetit bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj uniformave blu, me gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, të cilat kanë shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë.

Situata është tensionuar vijon në kryeqytetin shqiptar, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve vijojnë të shoqërojnë protestën.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.