Vendimi i BE-së për të mos i shkuar në zyrë Kurtit e ministrave, Qeveria në detyrë thotë se takimet mund të mbahen edhe jashtë

Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk do të zhvillojnë takime brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë. Pas vendimit të Gjykatës Supreme që ka gjetur se Hekuran Murati në kundërshtim me ligjin mban dy pozita, atë të ministrit të Financave dhe […]

Vendimi i BE-së për të mos i shkuar në zyrë Kurtit e ministrave, Qeveria në detyrë thotë se takimet mund të mbahen edhe jashtë

Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk do të zhvillojnë takime brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme që ka gjetur se Hekuran Murati në kundërshtim me ligjin mban dy pozita, atë të ministrit të Financave dhe të deputetit në Kuvendin e Kosovës, zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar Qeverinë e Kosovës se zyrtarë të lart të BE-së dhe të shteteve anëtare nuk do të mbajnë takime brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

Për shmangien e takimeve kanë reaguar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, i pyetur për këtë letër, i tha Radios Evropa e Lirë se Kryeministria është vendi i punës i Kurtit.

“Kushdo që kërkon takim me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, duhet të vijë në vendin ku punon kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës”, tha Kryeziu.

“Gjithsesi kjo nuk do të thotë që nuk mban takime pune edhe jashtë zyrës së tij, por për këtë duhet të ketë dakordim të palëve. Takime jashtë mjediseve të Kryeministrisë kanë ndodhur edhe në të kaluarën edhe gjatë kohës sa ka qenë me mandat të plotë”, shtoi ai.

Përveç Kurtit, këta zyrtarë të lartë s’do të takojnë as ministrat në detyrë brenda ndërtesës së Qeverisë, derisa të ketë një qeveri të re me mandat të plotë.

”Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë”, thuhet në letrën e publikuar nga Klan Kosova që mban nënshkrimin e Aivo Orav dhe datën 8 gusht 2025.