Vritet një militant i IS-it që planifikoi sulme në Evropë dhe SHBA
Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara tha se trupat e tij kanë vrarë një militant kryesor të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) në Siri më 19 shtator. Ky pjesëtar i IS-it u përshkrua si përgjegjës për planifikimin e sulmeve në Evropë dhe SHBA. Agjencia kundër terrorizmit e Irakut tha se ka ndihmuar koalicionin në [...]Read More...

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara tha se trupat e tij kanë vrarë një militant kryesor të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) në Siri më 19 shtator.
Ky pjesëtar i IS-it u përshkrua si përgjegjës për planifikimin e sulmeve në Evropë dhe SHBA.
Agjencia kundër terrorizmit e Irakut tha se ka ndihmuar koalicionin në lokalizimin e militantit. Ai u identifikua si Omar Abdul-Qader, i njohur edhe me nofkën e luftës Abdul-Rahman al-Halabi.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se Abdul-Qader ishte “një operativ që paraqiste rrezik të drejtpërdrejt për SHBA-në”.
Agjencia irakiane për kundër terrorizëm tha se ai ishte kreu i operacioneve të huaja të IS-it. Ai ishte i përfshirë në bombardimin e Ambasadës iraniane në Bejrut më 2013, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 20 personave. Në këtë sulm u vra edhe atasheu kulturor i Iranit, tha kjo agjenci.
“Ne nuk do të ndalemi në ndjekjen e terroristëve që synojnë të sulmojnë Shtetet e Bashkuara, forcat tona ose aleatët dhe partnerët tanë jashtë vendit”, tha komandanti i Komandës Qendrore amerikane, admirali Brad Cooper.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë që monitoron luftën – tha se Abdul-Qader u vra gjatë një operacioni të kryer nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja në provincën siriane, Hama. Asnjë nga sulmet që ai kishte planifikuar nuk ishte realizuar.
Shefi i Vëzhguesit sirian, Rami Abdurrahman tha se Abdel-Qader, shtetas sirian, ishte i arrestuar në Liban dhe më pas u ishte dorëzuar autoriteteve të Damaskut kur në pushtet ishte presidenti sirian, Bashar al-Assad. Pas rrëzimit të Assadit nga pushteti dhjetorin e vitit të kaluar, Abdul-Qader iku nga burgu dhe ishte në arrati që atëherë.