Wall Street kërkon më shumë qartësi mbi projektin sekret të Inteligjenca Artificiale së Mark Zuckerberg në Meta
Në qendër të vëmendjes së investitorëve në Wall Street është vënë një iniciativë sekrete e inteligjencës artificiale që po zhvillohet brenda Meta-s, nën drejtimin e Mark Zuckerberg. Kreu i kompanisë ka ndërmarrë një ofensivë të kushtueshme për të rekrutuar emrat më të njohur në fushën e AI dhe për të ndërtuar infrastrukturën që do të [...]Read More...

Në qendër të vëmendjes së investitorëve në Wall Street është vënë një iniciativë sekrete e inteligjencës artificiale që po zhvillohet brenda Meta-s, nën drejtimin e Mark Zuckerberg. Kreu i kompanisë ka ndërmarrë një ofensivë të kushtueshme për të rekrutuar emrat më të njohur në fushën e AI dhe për të ndërtuar infrastrukturën që do të mbështesë objektivat e tij ambicioze.
Zuckerberg ka ofruar bonuse që arrijnë në nëntë shifra për të joshur ekspertë të AI nga kompani si OpenAI, Apple dhe Google, me synimin që Meta të pozicionohet si lider global në këtë sektor, pas performancës së dobët të modeleve të saj përballë konkurrentëve.
Burime të afërta me zhvillimet tregojnë se Zuckerberg ka krijuar një njësi të re brenda zyrave të Meta në Menlo Park. Kjo strukturë funksionon e izoluar nga pjesa tjetër e kompanisë dhe është e çliruar nga burokracitë e zakonshme të një korporate me vlerë 1.8 trilionë dollarë. Në krye të saj janë vendosur dy figura të njohura: Alexandr Wang (nga Scale AI) dhe Nat Friedman (nga GitHub). Njësia operon në mënyrë të pavarur dhe mbetet e panjohur edhe për shumë punonjës të tjerë të Meta-s.
Megjithatë, mungesa e transparencës dhe e një strategjie të qartë kanë shkaktuar shqetësim tek investitorët.
“Është njësoj si Projekti Manhattan po hedhin shuma të mëdha në AI pa e ditur saktësisht drejtimin. Në mungesë të një plani të qartë për komercializim, durimi i investitorëve mund të soset,” paralajmëroi Uday Cheruvu nga Harding Loevner.
Ky nuk është eksperimenti i parë i madh për Zuckerberg. Në vitin 2022, ai ndryshoi emrin e kompanisë në Meta dhe investoi miliarda dollarë në ndërtimin e “metaversit” një projekt që rezultoi zhgënjyes dhe uli ndjeshëm vlerën e aksioneve.
Pas suksesit të ChatGPT, Zuckerberg e konsideron AI-në si fazën e ardhshme të zhvillimit teknologjik që mund ta mbajë Metën në krye të rrjeteve sociale dhe industrisë së reklamave online. Kjo teknologji ofron mundësi të reja në personalizimin e përmbajtjes dhe të reklamave, ndërkohë që konkurrentë si OpenAI, Anthropic, Google dhe Amazon po intensifikojnë gjithashtu investimet në këtë fushë.
Meta ka rritur ndjeshëm buxhetin e saj të investimeve kapitale në prill, duke parashikuar shpenzime nga 64 deri në 72 miliardë dollarë. Ndërkohë, përpjekjet për rekrutimin e talenteve në AI – që synojnë zhvillimin e asaj që quhet “superinteligjencë” pritet të rrisin shpenzimet vjetore për kërkim dhe zhvillim me 1.5 deri në 3.5 miliardë dollarë.
Zuckerberg është i bindur se investimi do të japë rezultate pozitive, duke u mbështetur në modelin financiar të qëndrueshëm të Meta. Deri tani, kompania ka rekrutuar rreth 50 studiues të njohur në fushën e AI, përfshirë bashkë-krijuesin e ChatGPT, Shengjia Zhao, i cili do të drejtojë laboratorin e ri të kërkimeve.
Por jo të gjithë ndajnë këtë entuziazëm. Ekspertët paralajmërojnë se një ekip i mbushur me talente nuk është garanci për sukses, ndërsa brenda kompanisë po lindin tensione për shkak të ristrukturimeve dhe ndjesisë se ekipi ekzistues i AI po anashkalohet.
Zuckerberg duket i vendosur të ecë përpara me ritme të shpejta, pavarësisht kritikave që kanë marrë modelet më të fundit si Llama 4. Meta madje ka nisur të lejojë përdorimin e modeleve konkurrente, duke pranuar se produktet e saj nuk janë ende në nivelin e duhur.
Ndërkohë, Meta pritet të publikojë këtë javë raportin me rritjen më të ngadaltë të fitimeve në dy vitet e fundit. Megjithatë, aksionet e saj janë rritur me 20% që nga fillimi i vitit, ndërsa investitorët presin me interes të shohin nëse vizioni i Zuckerberg për AI do të arrijë të justifikojë miliardat e investuara./abcnews.al