Wikoff: BE dhe Kosova vendosin për urën, jo KFOR-i
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s me seli në Napoli, admirali George Wikoff, ka thënë se KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse ura mbi lumin Ibër do të hapet apo jo. Vendimi, sipas tij, u takon Bashkimit Evropian dhe institucioneve përkatëse të Kosovës. Sipas admiralit Wikoff, i cili citohet në një njoftim të KFOR-it të lëshuar të martën vonë, “vendimet lidhur me praninë e trupave të KFOR-it në urën mbi Ibër bazohen në vlerësimet e situatës së sigurisë të bëra nga NATO-ja”.
Trupat e KFOR-it, që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, kanë qëndruar mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan pjesën veriore të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, nga ajo jugore, e banuar me shumicë shqiptare. Kjo urë ka qenë shpeshherë burim tensionesh ndëretnike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Gjendja e sigurisë dhe vendimet
“Vendimet sa i përket pranisë së KFOR-it në Urën e Mitrovicës janë të bazuara në vlerësimin tonë të situatës së sigurisë. KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo u takon BE-së dhe institucioneve përkatëse të Kosovës për të përcaktuar, pasi KFOR-i ta përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”, thotë Wikoff.
KFOR-i e përsëriti në në një komunikatë të tij se është duke zhvilluar një proces për kufizimin e pranisë së trupave të tij mbi urën, e cila është e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.
“KFOR-i aktualisht është duke kaluar nëpër një proces të optimizimit të dislokimit të tij, siç u njoftua më 12 qershor 2026. Kjo bëhet për të siguruar që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij. Procesi i optimizimit po zhvillohet në mënyrë transparente, të qëndrueshme, dhe graduale. Optimizimi po koordinohet ngushtë me institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare, siç është BE-ja, si dhe me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Më tej thuhet se forca paqeruajtëse në këtë proces, po angazhon rregullisht të gjithë aktorët, përfshirë bashkëpunëtorët vendorë, por edhe Forcat e Armatosura të Serbisë, ndërsa sqarohet se “procesi mund të përmbyset, nëse kjo kërkohet nga zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”.
Kurti: Absurde që ura të mbahet e mbyllur
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha të dielën se “institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe marrjen tërësisht nën kontroll të saj nga Policia e Kosovës. Pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur. Fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto ura të reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as të tensioneve, tregon se qarkullimi i njerëzve dhe mallrave është i dobishëm jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, tha Kurti.
Qeveria e Kosovës, një vit më parë, ka ndërtuar dy ura të tjera përkrah urës kryesore mbi Ibër, një për këmbësorë dhe një për automjete, me synimin që të lidhë Mitrovicën e Veriutme Mitrovicën e Jugut, një qytet ky që vazhdon të mbetet i ndarë etnikisht që nga lufta në Kosovë në vitin 1999.
Vendimi i misionit paqeruajtës të KFOR-it për zvogëlimin gradual të pranisë dhe kalimin e përgjegjësive mbi urë te Policia e Kosovës është kundërshtuar nga autoritetet e Serbisë. Presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq,ditë më parë, me një letër i është drejtuar shefit të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar atij “që ky proces të ndalet”.
Vuçiqi kërkon ndaljen e procesit
“Sapo i dërgova një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”.
Sipas presidentit Vuçiq, “tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe në veri të Kosovës”, thuhet në letrën e Vuçiqit. Por, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Özkan Ulutaş, thotë se KFOR-i mbetet i përkushtuar për sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.
“Përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë është i palëkundur, siç dëshmohet nga prania e vazhdueshme dhe e dukshme e personelit tonë në terren, përfshirë përmes patrullimeve të rregullta, pikave të vëzhgimit dhe angazhimeve me komunitetet lokale”, thotë komandanti i KFOR-it, duke shtuar se aktivitetet e KFOR-it zhvillohen vazhdimisht duke marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve.
The post Wikoff: BE dhe Kosova vendosin për urën, jo KFOR-i appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.