Xi dhe Modi flasin për përmirësim të marrëdhënieve mes Kinës dhe Indisë

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, deklaruan se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të re të besimit të ndërsjellë, pas një periudhe të gjatë tensioni, përfshirë edhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare. Dy udhëheqësit u takuan në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), [...]Read More...

Xi dhe Modi flasin për përmirësim të marrëdhënieve mes Kinës dhe Indisë

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, deklaruan se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të re të besimit të ndërsjellë, pas një periudhe të gjatë tensioni, përfshirë edhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare.

Dy udhëheqësit u takuan në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), i cili po zhvillohet në qytetin portual të Tianjinit. Ky është viziti i parë i Modi-t në Kinë pas shtatë vitesh. Gjatë takimit, presidenti Xi theksoi se Kina dhe India duhet të jenë partnere dhe jo rivale. Nga ana tjetër, Modi u shpreh se tashmë ekziston një “atmosferë paqeje dhe stabiliteti” mes dy vendeve.

Në samit merr pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin, së bashku me mbi 20 liderë botërorë. Por këtë vit, takimi po zhvillohet nën hijen e tensioneve tregtare me Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur tarifa të larta ndaj mallrave indiane, si ndëshkim për vazhdimin e blerjeve të naftës ruse nga India. Nga ana tjetër, Putin përballet me kërcënime për sanksione të reja për shkak të vazhdimit të luftës në Ukrainë.

Ndërkohë që marrëdhëniet SHBA-Indi po përballen me sfida të reja, Modi po afrohet më shumë me Kinën. Të dy vendet janë ndër më të populluarat në botë dhe kanë ndër ekonomitë më të mëdha globale. Modi njoftoi gjithashtu se fluturimet mes Indisë dhe Kinës të pezulluara që prej përplasjes vdekjeprurëse mes trupave ushtarake në kufirin Himalaje në vitin 2020 do të rifillojnë, ndonëse nuk dha një afat të saktë.

Xi theksoi se “të dy palët duhet të trajtojnë marrëdhëniet nga një këndvështrim strategjik dhe afatgjatë” dhe se “të qenit miq është zgjedhja e duhur për të dyja palët.”

Edhe pse samiti i SCO-së ka më tepër karakter simbolik, ai u krijon liderëve mundësinë për të shprehur shqetësime të përbashkëta dhe për të diskutuar interesa të përbashkëta. Ngjarja zhvillohet pak ditë para një parade ushtarake madhështore në Pekin, që do të shënojë 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Organizata ka 10 shtete anëtare përfshirë Rusinë, Pakistanin dhe Iranin si dhe 16 vende vëzhguese dhe partnere në dialog. Putin, aleat i ngushtë i Kinës, mbërriti në Tianjin të dielën, ku u prit me tapet të kuq. SCO është themeluar në vitin 2001 nga Kina, Rusia dhe katër vende të Azisë Qendrore, si një kundërpeshë ndaj ndikimit të aleancave perëndimore si NATO.

Këtë vit, takimi është më i madhi që nga themelimi i organizatës. Në Tianjin, samiti ka marrë përmasat e një ngjarjeje madhore. Banderola dhe postera janë shpërndarë në çdo cep të qytetit verior, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur çdo mbrëmje në zonën buzë lumit për të ndjekur një shfaqje dritash të projektuar mbi kullat e larta.

Rrugët janë tejmbushur, duke e bërë të vështirë qarkullimin, veçanërisht pranë urës historike Jiefang. Gjatë ditës, këmbësorët shpesh ndalohen përkohësisht për t’i hapur rrugë autokolonave të liderëve të huaj. Në qendër të qytetit janë pezulluar shërbimet e taksive dhe makinave me qira, por kjo nuk ka ndikuar në entuziazmin e qytetarëve, të cilët duan të jenë pjesë e asaj që përshkruhet si një takim historik.

Autoritetet policore kanë këshilluar mbi 13 milionë banorët e Tianjinit të kufizojnë lëvizjet dhe të frekuentojnë vetëm dyqanet pranë banesave për nevojat e përditshme.